Kryetarja e partisë më të re ‘Lëvizja për ndryshim’, Jozefina Topalli në një rrëfim të rrallë për jetën e saj personale dhe profesionale ka treguar shumë gjëra, që pak i dinin. Gjatë një interviste në RTSH, Topalli nuk nguroi të thumbonte kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
Ish-kryeparlamentarja e pranoi se nuk ka qenë kurrë e afër me të, teksa shtoi se tani e ka kuptuar që ka korrupsion në opozitë. Topalli nuk i ka kursyer kurrë kritikat për Lulzim Bashën duke e bërë fajtor se falë tij Rama po qëndron në pushtet.
Gazetari: Keni shpresa dhe ambicie në 25 prill? Mendoni se do jeni një forcë e madhe që do rivalizojë partitë e mëdha?
Topalli: E besoj, vërtet e besoj. Ju mund të thoni se jam 1 kundër 3, por unë besoj se do vijë ndryshimi. Deri më sot nuk e kam ditur që ka pasur korrupsion në opozitë, sot e mësova.
Gazetari: Deri në vitin 2017 çfarë marrëdhënie keni patur me z.Basha?
Topalli: Unë s’kam pasur kurrë marrëdhënie të afërta me të. Kemi qenë të largët. E thashë që vetëm tani e kam mësuar korrupsionin në opozitë. Forcat politike kanë nevojë të hapen të afrohen sa më shumë të rinj, të përgatisin klasën e re politike. Ne mund të investojmë shumë në krijimin e disa figurave të rëndësishme politike, por shumë pak mund të nxjerrim prej tyre. Të jesh në parlament nuk do të thotë të jesh politikan. Politika është xhungël, është si drogë dhe do pasion. Asgjë nuk arrihet pa pasion.
Topalli tregoi edhe një episod me përfaqësuesin aktual të BE në Ballkan për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë. Ajo foli edhe se si dhe pse hyri në politikë, ndërkohë që kishte studiuar për matematikë dhe i ishte përkushtuar asaj.
Topalli: Isha kryetare kuvendi dhe shkova në Parlamentin Europian. Kryetar parlamenti ishte Joseph Borrell, dhe mbasi bëmë takimin, ai kishte lexuar CV-në time dhe më tha që jeni ndër të parët politikanë që keni studiuar matematikë. Unë u përfshiva në politikë si e pafajshme, me idealizëm të madh se ky vend do bëhet më mirë.
Gazetari: Pse jeni zhgënjyer?
Topalli: S’dua ta them zhgënjim, por është shumë vështirë. Një natë më mori në telefon një shoqe e imja që është e majtë që voton gjithmonë PS-në, por më pas më votonte mua. Dhe ajo më tha një ditë: Jozefinë, çfarë kemi ne shqiptarët që nuk bëhemi si Europa, si perëndimi? Ne na mungon kultura e shtetit, nuk kemi histori demokracie apo parlamentarizmi shumë vjeçare. Ne po përpiqemi që të rikuperojmë shekuj të humbur gjatë historisë sonë. Të rinjtë shqiptarë kur dalin jashtë kanë histori suksesi, ndërsa po të ishin këtu s’do kishin shansin, sepse mungon meritokracia. Por shqiptarët janë më të bukurit dhe më inteligjentët. Nuk është faji i tyre, është faji jonë.