Trajneri i Eibarit, Luis Mendilibar, është shprehur shumë i lumtur që skuadra e tij ia doli ta fitojë një pikë duke e ndalur Barcelonën me barazim 1:1 në La Liga, por e pranon se mungesa e Lionel Messit luajti rol kyç. Messi i ka shënuar 20 gola në 11 ndeshje kundër Eibarit gjatë karrierës së tij, por të martën nuk qe në gjendje të paraqitej për Barcelonën për shkak të një lëndimi.

Skuadra e Ronaldo Koeman shpërdoroi shumë mundësi dhe u detyrua të pajtohej me një pikë. Martin Braithwaite e humbi penalltinë para se Kike Garcia t’i kalonte vizitorët në epërsi. Por Ousmane Dembele e barazoi rezultatin për Barçën. Eibar nuk kishte fituar pikë kundër Barcelonës në Camp Nou kurrë më parë.

“Më në fund e fituam një pikë këtu, një pikë që ta ofron ndjesinë e fitores”, tha trajneri i Eibarit. “Mendoj se ishim me fat, një penallti e humbur nga kundërshtari, dhe ne shënuam gol nga mundësia e vetme që e kishim”, shtoi ai. “Atyre u mungoi lojtari më i mirë ën botë, pra Messi. Sa herë që vinim këtu, ai i shënonte nga dy gola. Sot ai nuk ishte këtu”.