Rregullatorët e vaksinave të SHBA publikuan sot vështrimin më të hollësishëm deri më tani për vaksinën e koronavirusit të Pfizer, duke përshkruar sigurinë e saj dhe efektet anësore të vërejtura në një provë masive klinike. Në përgjithësi, zbulimet ishin pozitive. Sipas studimit, nuk ka shqetësime të mëdha të sigurisë për vaksinën e Pfizer. Shumica e vullnetarëve të imunizuar patën efekte anësore të përkohshme menjëherë pasi u vaksinuan, duke përfshirë lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje në vendin e injeksionit.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA.-ve (FDA) po rishikon vaksinën e COVID-19 për autorizimin e përdorimit emergjent, me një vendim që pritet për disa ditë. Një panel ekspertësh do të takohen të enjten për të shqyrtuar aplikimin e Pfizer dhe për t’u rekomanduar një vendim rregullatorëve të FDA. Pfizer tha se kishte të dhëna të mjaftueshme për të treguar se vaksina e tyre ishte rreth 95% efektive në parandalimin e COVID-19. Pfizer dhe BioNTech, partneri i saj gjerman i bioteknologjisë, testuan vaksinën e tyre në një studim global me më shumë se 40,000 vullnetarë, të cilët morën dy doza të vaksinës ose dy doza të një injeksioni placebo.