Sistemi efikas i mbikëqyrjes gjenomike të Mbretërisë së Bashkuar ka identifikuar gjithashtu një variant të dytë të koronavirusit në vend, përveç atij që tani njihet si varianti anglez. Versioni i ri i SARS-CoV-2, i cili është përhapur në Afrikën e Jugut për disa muaj dhe i cili po fiton terren në këtë valë të dytë të pandemisë, tani ka mbërritur në kontinentin tonë: në Mbretërinë e Bashkuar, dy raste janë identifikuar, që kanë pasur kontakte me njerëz që janë kthyer nga Afrika e Jugut.

Çfarë dimë sot për këtë variant të Afrikës së Jugut?

Karakteristikat gjenetike – Siç shpjegon Julian Tang, profesor dhe virolog në Universitetin e Leicester, varianti 501.V2 i identifikuar në Afrikën e Jugut dhe i mbërritur këtë muaj edhe në Mbretërinë e Bashkuar “karakterizohet nga mutacionet N501Y, E484K dhe K417N në proteinat spike – prandaj ndan mutacionin N501Y me variantin anglez. Nga ana tjetër, varianti i Afrikës së Jugut nuk përmban mutacionin 69-70del i cili gjendet në atë anglez”.

Transmetueshmëria – Ka disa prova se varianti i Afrikës së Jugut është veçanërisht ngjitës dhe se po shkakton një valë të dytë në Afrikën e Jugut që është më e madhe se e para. Sipas Tang, “përhapja e këtij varianti duket të jetë përqendruar në rajonet jugore dhe juglindore të Afrikës së Jugut dhe është e lidhur me ngarkesa më të larta virale në tamponët diagnostikë – një tipar që mund ta bëjë atë më të transmetueshëm përmes aerosoleve të prodhuara nga frymëmarrja dhe të folurit. Studimet janë duke u zhvilluar në vend për të kuptuar nëse ajo shkakton një sëmundje më serioze, nëse synon specifikisht të rinjtë – ose nëse ky nuk është më tepër një efekt i lidhur me sjelljen e këtij segmenti të popullatës – dhe nëse vaksinat anti-covid do të jenë efektiv kundër tij”.

Një situatë që duhet të monitorohet – Akumulimi i mutacioneve është një proces natyral që viruset përdorin për t’u përshtatur. Në shumicën e rasteve, siç ka qenë rasti deri më tani, këto mutacione nuk kanë asnjë efekt në sjelljen e viruseve, por ato herë pas here mund të përmirësojnë aftësinë e tyre për të infektuar, ose t’i bëjnë ato më rezistente ndaj përgjigjes imune të trupit.

“Varianti i Afrikës së Jugut është i ndryshëm nga ai i Mbretërisë së Bashkuar, por që të dy përmbajnë një numër jashtëzakonisht të lartë mutacionesh krahasuar me linjat e tjera SARS-CoV-2”, shpjegon Andrew Preston, profesor i Patogjenezës Mikrobike në Universitetin e Bath. “Disa nga këto mutacione ndryshojnë proteinën spike, dhe kjo është shqetësuese. Të dy përmbajnë mutacionin N501Y, por edhe shumë mutacione të tjera që nuk duket se kanë rritje të transmetueshmërisë, kështu që tërë panorama është komplekse”.

Çfarë duhet të bëjmë? – Ditët e fundit, ekspertët kanë shprehur mendime të sigurta në lidhje me efektivitetin e vaksinave të ARNi kundër këtyre formave të reja të viruseve. Ndërsa prisni të mësoni më shumë, është e rëndësishme të mbani mend se masat që kemi mësuar të praktikojmë, të tilla si përdorimi i maskave, distanca dhe higjiena e duarve, janë akoma më të forta se çdo mutacion i mundshëm. Të aplikuara në mënyrë korrekte dhe të kombinuar, ato parandalojnë përhapjen e virusit.