Japonia pezulloi përkohësisht hyrjen e shtetasve të huaj, deri në fund të janarit, pasi zbuloi rastet e llojit të ri të koronavirusit. Deri tani Japonia ka konfirmuar gjithsej tetë raste të një varianti të ri të koronavirusit të identifikuar në Britaninë e Madhe.

”Katër persona u shtruan në spital, ndërsa katër të tjerët, të cilët nuk kishin asnjë simptomë, ndodhen në karantinë”, theksoi Ministria japoneze e Shëndetësisë.

Ndalimi i plotë vjen pasi Japonia vendosi një ndalim të përkohshëm për ardhjet e shtetasve të huaj jorezidentë, të cilët kohët e fundit vizituan Britaninë e Madhe dhe Afrikën e Jugut, ku një tjetër lloj i ri Covid-19 u identifikua. Japonia u përball me një ringjallje të koronavirusit, me një rekord të lartë prej 3 881 infeksionesh të reja, të shtunën.