Falë Programit të Rindërtimit, në Bashkinë e Tiranës, në një vit, po ndërtohen më shumë shkolla se në 100 vite të Tiranës Kryeqytet. Vitin tjetër, qytetit do t’i shtohen 17 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe 8 konvikte të reja për studentët. Në një bashkëbisedim me gjimnazistë, përmes platformës“Zoom”, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se buxheti i ardhshëm për rininë parashikon një sërë investimesh, duke nisur nga shtimi i bibliotekave, mbështetjen e sipërmarrjeve rinore dhe teknologjinë e informacionit.
“Me projektin e 17 shkollave filluam një shkollë të re tek Njësia 8, po ashtu një shkollë tjetër te Fresku, po vazhdojmë me shkollën e re 9-vjeçare në Institutin Bujqësor dhe dy shkollat e tjera tek “Don Bosko”, shkollat “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”. Do të fillojmë shkollën e re “Dritëro Agolli” te Parku Olimpik, si dhe dy shkolla në Qytetin Studenti, me të cilatzgjidhim përfundimisht çështjen e arsimit parauniversitar në Tiranë”,shpjegoi Veliaj. Sa i përket godinave të studentëve, Veliaj tha se ka nisur puna për ndërtimin e 8 konvikteve të Universitetit Bujqësor. “Do shkojmë nga një Qytet Studenti i Kodër-Kamzës që akomodonte 150 vetë, në një Qytet Studenti që do akomodojë 2150 vetë. Ne besojmë sedo të jenë gati për 12-13 muaj”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku u ndal edhe te Karta e Studentit, për të cilën tha se falë një marrëveshjeje me Kartën Studentore Europiane të rinjve do u mundësohet të aksesojnë të njëjtat shërbime si të rinjtë në vendet e tjera të BE-së. “Gama është e tillë, e paprecedentë më përpara, me 602 shërbime”, tha ai. Një tjetër prioritet i Bashkisë sëTiranës, shtoi kryetari Veliaj, janë edhe bibliotekat, të cilat me futjen e teknologjisë nuk do të jenë më thjesht salla leximi, por do të ofrojnë edhe mjaft shërbime të tjera. “Shumë shpejt do të hapim bibliotekën “Moikom Zeqo” te Pazari i Ri, me të cilënshkojmë në 8 biblioteka të reja në Tiranë. Propozimi që kemi për të rinjtë është që bibliotekat t’i përdorinedhe si mjedise për aktivitete e funksione të tjera më inovative”, shpjegoi ai.
“Buxhetin më të madh për këtë vit po e çojmë tek Piramida e Tiranës. Besoj se fundvitin tjetër Piramida do të ketë mbaruar, por edhe ajo nuk do të jetë thjesht një shkollë kodimi.Ka mekatronikë, robotikë, realitete virtuale, realitete të augmentuara, montazh, audio, video, animacion, etj”, u shpreh kryebashkiaku. Gjatë bashkëbisedimit, Veliaj u ndal edhe në promovimin e të rinjve në sipërmarrje, ndërsa për çështjen e punësimit tha se,“këtë vit, nga 300, do t’i çojmë në 1000 praktikat internshipet e paguara për studentët në Bashkinë Tiranës”. Ai shtoi se në 2022 Tirana do të marrë edhe titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, çka do t’i japë qytetit një tjetër vëmendje sa i takon investimeve për rininë, apo për aktivitetet që do të organizohen gjatë gjithë vitit.