Kryebashkiaku Erion Veliaj tha sot në Report TV se vitin tjetër, Bashkia e Tiranës do të jetë e fokusuar në ndërtimin e pallateve të reja për familjet e prekura nga tërmeti. Ai siguroi të gjitha familjet se mbështetja me bonus qiraje do të vijojë gjer në momentin që do të marrin çelësin e banesës së re.
“Do të vazhdojmë me rindërtimin, por tani fokusi nuk do jetë më tek shtëpitë individuale, sepse ato janë vendosur në ‘autopilot’; po bëhet lagjja në Ndroq, lagjja në Vaqarr, do fillojë lagjja në Pezë, do fillojë lagjja këtë javë në Zall-Herr, kurse në Baldushk është liruar terreni dhe kanë filluar themelet. Tani fokusi do jetë tek pallatet. Janë ato që kanë marrë pak më shumë kohë, kërkojnë më shumë kohë në projektim, në financim, në prokurim dhe më shumë kohë në terren. Fakti që tek “5 Maji” kemi filluar punë, e në Kombinat fillojmë në ditët e ardhshme, do të thotë se viti që vjen do të jetë kryesisht viti i pallateve. Pagesa e bonusit të qirasë është një zgjidhje, por zgjidhja ideale është të kesh shtëpinë tënde. Më vjen mirë që bëmë atë zgjidhje sepse do të ishim ende nëpër palestra apo kontenierë. Por, vendosëm që secili të marrë bonusin e qirasë deri ditën që do marrë çelësin e apartamentit të ri”, theksoi Veliaj.