Në rajonin e Vlorës, eksportet e bimëve mjekësore u rritën në 349 tonë në javën e fundi të muajit nëntor të këtij vit, kundrejt 290 tonëve që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Lindita Kondi përgjegjëse në Qendrën e Eksporteve Vlorë tha për ATSH-në se, “në qarkun jugor po shtohet interesi i fermerëve për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe eksportin e tyre”. Sipas saj, kushtet klimaterike të përshtatshme gjatë muajit nëntor të këtij viti, favorizuan mbledhjen në sasi më të mëdha të bimëve mjekësore dhe eksportin e tyre.
Aktualisht në këtë qark, janë rreth 850 hektarë të mbjellë me bimë mjekësore të llojeve të ndryshme. Eksportet e bimëve mjekësore nga rajoni i Vlorës janë të orientuar kryesisht drejt tregut rajonal dhe europian, që nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Polonia, Gjermania etj. Eksporti vjetor (2019) shënoi mbi 900 tonë bimë mjekësore.