Qyteti kinez ku nisi pandemia e frikshme e koronavirusit Vuhan, mburret së fundmi me pamjet e rinisjes së jetës së natës, teksa tregon të rinjtë që mbushin diskotekat dhe asnjë prej tyre nuk mban maska mbrojtëse. Vuhan, në provincën e Hubei, thotë se nuk ka pasur asnjë rast të transmetuar të Covid-19 që prej 10 majit. Qyteti u izolua tërësisht prej janarit pasi nisja e pandemisë u deklarua e lidhur me një nga tregjet e tij.
Për 11 javë banorët u mbyllën në shtëpitë e tyre dhe nuk lejoheshin të dilnin nga qyteti, teksa hyrje daljet ishin bllokuar me postblloqe ushtarake. Por me pamjet e publikuara së fundmi, dikush mund të mendojë se Vuhan nuk është prekur kurrë nga sëmundje të rënda. Jeta e natës është kthyer në vrull të plotë, me të rinj që kërcejnë në turma të mëdha, duke shëtitur e duke ngrënë ushqim nga stendat e rrugës. Asnjë njeri me maskë nuk dukej mes njerëzve që zbaviteshin, disa prej të cilëve luanin me armë lodra dhe tullumbace. “Pasi provuam valën e parë të epidemisë në Vuhan ka ardhur çlirimi, më duket sikur po jetoj një jetë të dytë,” tha i riu Zhang Qiong.
Edhe në gusht publiku ndërkombëtar u shokua nga pamje të një feste në pishinë në një kompleks të Vuhan, ku dukej se të rinjtë e kishin harruar tërësisht izolimin e koronavirusit, teksa festonin me muzike. Publikimi i fotove vjen disa javë para se 10 shkencëtarë të OBSH të udhëtojnë drejt Vuhan në janar, për të hetuar atë që ndodhi në fund të 2019 në lidhje me pandeminë.