Hugo Maradona, vëllai i Diego Armando Maradonës i cili u nda nga jeta më 25 nëntor për shkak të arrestit kardiak, tregon bisedën e fundit me legjendën argjentinase tri ditë para lajmit të kobshëm. Ai më pyeti se si isha, nëse kisha nevojë për ndonjë gjë. Më mbajti zgjuar për gati gjysmë ore për t’i treguar ndeshjet e futbollit që nuk kishte qenë në gjendje t’i shihte. Më tha se i mungonte futbolli dhe se pasi të merrte veten, për disa ditë, do t’i kthehej jetës normale. E pyeta kur do të kthehej në Itali dhe ai më tha: të shohim, mbase për Krishtlindje.

A kishte kuptuar Hugo gjatë bisedës se diçka nuk shkonte me shëndetin e tij? “Ai ishte i qetë. Nëse Diego do të kishte vuajtur atë natë, ai do të kishte bërë gjithçka për të mos më lënë ta kuptoja”, – shpjegon vëllai i Maradonës për “Corriere della Sera”. – “Ai i tillë ishte, nuk donte të shqetësonte njeri. Jemi shtatë vëllezër dhe motra, na merrte të gjithëve në telefon, por nuk fliste për problemet e tij. Ai kurrë nuk e bëri. Kjo është arsyeja pse unë them, me dhimbje të madhe, se të vërtetën e javëve të fundit të jetës së tij vetëm ai e dinte”.

Në lidhje me hetimet e nisura për të sqaruar vde kjen e vëllait të tij, Hugo komentoi: “Unë nuk kam asnjë ide, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme kam tendencë të mos e kem. Nëse nuk është vdekje natyrore, do të shkaktojë më shumë dhimbje. Unë kam besim tek drejtësia, nëse ka një fajtor, ai do të duhet të paguajë. Vëllai im nuk e meritonte vdekjen. Ai i ndihmoi të gjithë, kurrë nuk kërkoi asgjë në këmbim dhe shumë e shfrytëzuan. Ai sigurisht bëri gabime, pa u fshehur kurrë. Pagoi një çmim shumë të lartë për këtë, duke u përballur i vetëm, çdo herë.”

Hugo mohoi që Diego të jetë braktisur nga familja. Ne jemi shumë të bashkuar, në emër të vlerave që prindërit tanë na përcollën. Kështu ishte Diego: ai vendoste kur dhe si ta kalonte kohën me të dashurit e tij. Gjithmonë na telefononte dhe, nëse ishte i sëmurë, pretendonte se ishte mirë. Nuk shpreh gjykime për miq, mjekë apo avokatë të ndryshëm. Diego ka marrë shumë sekrete me vete.”