Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se parlamenti përmbyll sot legjislacionin që lidhet me marrëveshjen e 5 qershorit me opozitën. Balla deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit do jenë zgjedhjet me standardet më të mira demokratike. Ai i drejtoi dhe një thirrje partive politike, PD-së dhe LSI-së.
“Sot kuvendi i Shqipërisë përmbyll gjithë legjislacionin që lidhet me marrëveshjen e 5 qershorit. Legjislacioni garanton jo vetëm zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike por do jenë zgjedhjet me standardet më të mira demokratike, manifestim i standardeve më të mira demokratike në vend. I bëj thirrje çdo partie politike që nga ky moment që hyjmë në atë 4-mujorin e procesit parazgjedhor të heqë dorë nga retorikat e panevojshme të cilat nuk i bëjnë mirë procesit zgjedhor. I bëj thirrje PD dhe LSI ta përshëndesin votimin e kuvend të të gjithë kuadrit ligjor që lidhet me respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit se duke mos qenë në Kuvend, deputetët e kanë mbështetur. Falë marrëveshjes me opozitën parlamentare kemi mundësinë që me zgjedhjet e 25 prillit të votojnë jo vetëm për partinë, por dhe kandidatët. Është hera e parë në 30 vite që qytetarët shqiptarë nuk votojnë vetëm për partinë por dhe kandidatin.
Dua t’ uroj gjithë deputetëve gëzuar festat, t’i uroj popullit shqiptar gëzuar Vitin e Ri 2021 dhe Krishtlindjet për besimtarët, qoftë një vit i mbarë”, deklaroi Balla.