Varianti i ri i Covid-19, i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar po gjen shtrirje të gjerë. Zyrtarë të Izraelit dhe Irlandës së Veriut kanë bërë të ditur se në vendet e tyre janë zbuluar raste mbartëse të llojit të ri. Katër është numri i personave të infektuar në Izrael, ku tre prej tyre mësohet se kishin udhëtuar në Britaninë e Madhe, e ndërsa prejardhja e të katërtit ende nuk është konfirmuar.

“Në dy ditët e fundit kemi bërë përpjekje për të kontrolluar nëse mutacioni nga Britania e Madhe është “infiltruar” në Izrael. Deri para disa minutave kemi qenë optimistë, kurse tani ky disponim ka rënë për shkak të informacioneve që na kanë ardhur nga laboratorët tonë”, shtoi ministrja e Shëndetësisë, Juli Edelstein.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahyu tha se zbulimi i rasteve të reja vetëm sa ka konfirmuar vendimin e organeve kompetente që trafiku ajror me Britaninë e Madhe të ndalet përkohësisht. “Natyrisht që kemi ndërmarrë hapa konkretë për të mbyllur trafikun ajror me Britaninë e Madhe dhe kemi bërë të detyrueshme karantinimin për izraelitët që kthehen në vendin tonë, si dhe kemi gjurmuar të gjithë ata që kanë qenë në Britaninë e Madhe dhe vendet e tjera”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Irlanda e Veriut konfirmoi sot se ka rezultuar pozitiv një person me variantin e ri të koronavirusit, që është regjistruar për herë të parë në Britaninë e Madhe. Ministria e Shëndetësisë së këtij vendi bëri me dije se ky variant i virusit në këtë rajon ka qenë prej kohësh i pranishëm.