Kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Shkëlqim Ganajt, i ka përfunduar mandati dhe vendin e tij tani do ta zerë një grua. Komisioni i Ligjeve përzgjodhi disa ditë më parë 2 nga 5 kandidatura, të gjitha gra, për t’ia çuar parlamentit për votim.
Evgjeni Bashari, aktualisht Sekretare e Përgjithshme e këtij Inspektorati, mori një votë miratuese unanime nga deputetët e Komisionit të Ligjeve. Kandidatja tjetër, Elena Papa mori 14 vota nga 15 deputetë të pranishëm dhe vetëm një abstenim.
Por sot, në seancë plenare, Kuvendi ka zgjedhur Evgjeni Basharin me 100 vota PRO, për të vijuar detyrën e Ganajt. I ngritur 17 vite më parë, ky Inspektorat bën kontrollin e pasurisë së të gjithë zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar dhe pas Reformës në Drejtësi ka marrë një rol të rëndësishëm sa i takon kontrollit të pasurisë dhe konfliktit të interesit për të gjithë magjistratët që kalojnë në procesin e vettingut.