Dy fitoret radhazi ndaj Sevillas në La Liga dhe Borussia Moenchengladbach në Champions sukses që i siguroi jo vetëm kualifikimin, por edhe vendin e parë në grup Real Madridit. Kjo ka bërë që të kthehet qetësia në kampin e Los Blancos dhe stoli i Zinedine Zidane tashmë nuk është në pikëpyetje. Ndaj gjermanëve të Gladbach falë dy golave të Karim Benzemas në pjesën e parë trajneri francez arriti fitoren e tij të 150-të në stolin madrilen. Zidane ka 105 fitore në LaLiga, 28 në Champions League, 8 në Copa del Rey, 4 në Kupën e Botës për Klube, 3 në Superkupën e Spanjës dhe 2 në Superkupën e UEFA-s.

Skuadra ka shënuar 536 gola gjatë kohës së tij në krye. Por edhe pse është një nga trajnerët më fitues në historinë e Los Blancos, Zidane nuk mendon se mund të jetë një Alex Ferguson për Realin. Ai nuk ka garantuar se do të qëndrojë gjatë te Reali.

“Kurrë nuk do të jem Alex Ferguson i Real Madridit. Dua të argëtohem dhe nuk e di se sa kohë do të qëndroj këtu. Thjesht mendoj se sa me fat jam që ndodhem këtu, por nuk e di deri kur”, u shpreh francezi. Të shtunën Reali ka një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme pasi do të sfidojë kryesuesit e Atleticos në derbi dhe do të jetë një ndeshje shumë domethënëse.