Është zyrtarizuar kalimi i koncesionit të aeroportit të vetëm në vend, atij të Rinasit te grupi më i madh në vend “Kastrati Group”. Transaksioni është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe “Kastrati group” është aksioneri 100% i “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. “Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, që në prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe “Real Fortress Private Limited” është nënshkruar më 1 dhjetor 2020 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 18 dhjetor. Sipas kontratës, grupi Kastrati do të paguajë gjithsej 71 milionë euro përmes dy pagesave. Sipas referimit në kontratë: Shpërblimi për aksionet sipas kësaj marrëveshjeje dhe akti i transferimit do të jetë një shumë në para e barabarte me shumën e: -15,000,000 EUR (“Pagesa Fillestare”); plus -56,000,000 EUR plus një shumë e barabartë me Rregullimin e Bilancit të Parasë (“Shuma e Mbylljes”); Grupi kinez, i shërbimeve financiare China Everbright, i kishte blerë në 2016-n të drejtat koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited” për 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.
Të drejtat koncesionare iu blenë nga tre aksionerëve Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”, DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”), që kishin nënshkruar një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare në vitin 2004. Në mars të vitit 2016 qeveria shqiptare njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me kompaninë që menaxhonte aeroportin duke hequr kështu ekskluzivitetin, ngërçin që pengonte hapjen e aeroporteve të tjerë. Heqja e ekskluzivitetit i dha TIA-s dy vite shtesë nga koncesioni duke çuar afatin e ri në 2027 për përfundimin e kontratës, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, i cili akoma është jo funksional, por po punohet për të bërë të mundur vënien në punë të tij. Në prill 2019, Qeveria miratoi kontratën për koncesionin 35-vjeçar të Aeroportit të Kukësit, ku fitues doli bashkimi i përkohshëm i kompanive Global Technical Mechanics sh.p.k. dhe Bami sh.p.k.
Nëse do të hyjë në funksion edhe Aeroporti i Vlorës, tenderi i të cilës është shtyrë disa herë, TIA mund të marrë 2.5 vjet të tjera shtesë. Ndërkohë, burime pranë negociatave thanë se pas marrjes së koncesionit nga Kastrati mund të ketë një tjetër shtyrje të afateve “Tirana International Airport” deri në vitin 2019 ishte një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në vend, me një normë fitimi që arrinte deri në gati 50%. Në 2019-n, kompania raportoi të ardhura prej gati 7 miliardë lekësh. Fitimi para taksave i kompanisë ishte 3.1 miliardë lekë, pothuajse i njëjtë me vitin e mëparshëm, duke u renditur e treta më e madhe në vend sa u përket fitimeve, pas BKT dhe Raiffeisen.
Norma e fitimit ra në 45%, nga 49% vitin e mëparshëm, për shkak të rritjes më të ngadaltë të të ardhurave në raport me shpenzimet. Në vitin 2019, TIA përpunoi një nivel rekord pasagjerësh prej 3.1 milionë. Kastrati është grupi më i madh në vend, me aktivitetin kryesor në fushën e tregtimit me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, por që vitet e fundit është diversifikuar, kryesisht në sigurime, në sektorin e ndërtimit dhe turizmit dhe tashmë po hyn dhe në transportin ajror, përmes aeroportit. Në vitin 2019, qarkullimi vjetor i grupit iu afrua 90 miliardë lekëve (730 milionë eurove), duke shënuar vitin më të mirë historik, pas një rritjeje të të ardhurave me rreth 5%. Në 2019-n, Kastrati kaloi si grupi më i madh dhe për fitimet. Kompanitë kryesore të grupit “Kastrati group” (tregtim me shumicë i naftës), “Kastrati shpk” (tregtim me pakicë i naftës), “Alb-Siguracion” (sigurime) dhe Autostar Albania (tregtim dhe shërbime ndaj automjeteve) raportuan në total, një fitim prej 3.1 miliardë lekësh (25 mln euro), me rritje prej 12% me bazë vjetore. Grupi Kastrati zotëron dhe 50% të aksioneve Albanian Highway Concession, që menaxhon koncesionin e rrugës së Kombit.