Në kampin opozitar kanë nisur negociatat e ethshme, mes kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe aleatëve për pozicionin që këta të fundit do të kenë në listën për deputet në zgjedhjet e ardhshme. Këto ditë në selinë blu është diskutuar për vendimin final që do të merret për formulën e koalicioneve dhe për pozicionin që do të kenë aleatët në lista. Sipas kryetarit të LZHK, Dashamir Shehi, formula e koalicioneve është një vendimmarrje që i takon Lulzim Bashës. Ndërsa për demokristianin Nard Ndoka, marrëveshja mes PD dhe aleatëve është në fazën finale.

“Po diskutojmë formulën e koalicionit me PD. I takon Bashës të vendosë për koalicionet”, tha Shehi. “Po diskutojmë në nivel teknik dhe politik. Jemi në fazën finale për marrëveshjen”, u shpreh Ndoka. Pritet që lista e kandidatëve për deputet të mos ketë shumë surpriza sa i përket aleatëve.

Ata do të jenë në listat e Partisë Demokratike. Këtë deklaratë Dashamir Shehi e mbështet në një marrëveshje të vitit 2019, kur opozita dogji mandatet. Sipas saj, Basha u ka premtuar aleatëve se ata do të marrin vendet që kanë pasur në zgjedhjet e ardhshme. Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka kërkojnë që Lulzim Basha të ftojë në koalicionin opozitar edhe partitë që janë krijuar si fraksion i krahut të djathtë.