Nga Anshel Pfeffer, CapX
“Makineria” e suksesshme e vaksinimit që zotëron aktualisht Izraeli, mund të ketë tërhequr shumë vëmendjen e botës, por vendi ka dështuar në thuajse çdo aspekt tjetër të krizës pandemike. Ndërsa popullsia po vaksinohet me një shpejtësi marramendëse, numri i infeksioneve të reja po rritet ndjeshëm, ndërsa vendi ka hyrë në bllokimin e tretë kombëtar.
Po si ka arritur Izraeli të vaksinojë kaq shumë njerëz, pas muajsh menaxhimi katastrofik të pandemisë së skoronavirusit? Dhe a janë suksesi dhe dështimi për shkak të faktorëve të njëjtë?
Tani që po shkruaj, gati 2 milion izraelitë kanë marrë dozën e tyre të parë të vaksinës anti-Covid (disa prej tyre kanë marrë edhe dozën e dytë). Me mbi 20 për qind të popullsisë së vaksinuar, Izraeli është duke tejkaluar çdo vend tjetër. Britania dhe Shtetet e Bashkuara, kanë arritur të vaksinojnë deri tani vetëm 2 për qind të popullsisë së tyre.
Pandemia ka shërbyer si një test stresi global për çdo vend në botë, duke nxjerrë në pah dobësitë në shoqëritë, ekonomitë, dhe sistemet e tyre të qeverisjes. Edhe demokracitë më të fuqishme dhe më të pasura, nuk arritën t`a frenojnë përhapjen e virusit dhe të ulin nivelet e vdekjeve.
Një pjesë e vogël e vendeve, që deri më tani kanë mbetur relativisht të padëmtuara nga pandemia, priren të jenë shtete ishullore me një popullsi të mirë-disiplinuar, si Zelanda e Re dhe Tajvani, ku ishte relativisht e lehtë mbyllja e hershme e kufijve dhe izolimi i një numri të vogël të të infektuarve.
Izraeli nuk është një ishull, por përgjatë pandemisë, u pa se kishte aftësi që do t`a lejonin një mbrojtje të ngjashme .Izraeli kufizohet me 4 vende të ndryshme, por në tërësi është një “ekonomi ishullore”. Ai është në një gjendje lufte zyrtare me dy fqinjët e tij (Sirinë dhe Libanin), dhe ka pak lidhje ekonomike apo shkëmbime turistike me dy të tjerët (Egjiptin dhe Jordaninë).
Gati e gjithë tregtia e tij zhvillohet me vende të largëta, dhe mbi 90 për qind e importeve dhe eksporteve ndodhin vetëm përmes një aeroporti ndërkombëtar. Shtoji kësaj faktin se të gjithë izraelitët gëzojnë kujdes shëndetësor pothuajse falas, dhe kanë kartela shëndetësore të dixhitalizuara, dhe se vendi ka një përvojë të përballjen me emergjencat kombëtare, dhe shumëkush do të priste që Izraeli të përballej mjaft mirë me pandeminë.
Të paktën, kjo ishte ndjesia gjatë javë vetë para. Izraeli mbylli shpejt kufijtë tokësore dhe ajrorë, për të zbatuar me rreptësi distancimin social dhe më pas një bllokim mbarëkombëtar.
Bartësit e Covid-19 që mbërrinin nga jashtë u gjurmuan shpejt dhe kontaktet e tyre u informuan, teksa spitalet nxituan të hapnin repartet e koronavirusit. Kurba e të infektuarve u sheshua me shpejtësi, numri i vdekjeve mbeti relativisht i ulët dhe nga mesi i majit, bllokimi përfundoi me raste të reja ditore vetëm 1-shifrore.
Por nuk kishim dalë nga rreziku. Për shkak të ndjeshmërisë së aleatit të tij Donald Trump, kryeministri Benjamin Netanyahu e vonoi vendimin për të ndaluar fluturimet nga Shtetet e Bashkuara. Për pasojë, dy të tretat e rasteve të reja me Covid-19 në Izrael në muajt e parë të pandemisë vinin nga SHBA.
Gjithashtu, Netanyahu vendosi të mos zbatojë më rregullin e distancimit social i kundërshtuar nga komuniteti ultra-ortodoks, që përbën rreth 13 për qind të popullsisë. Partitë ultra-ortodokse janë anëtare të koalicionit të tij qeveritar, dhe pa to Netanyahu nuk mund të vazhdojë dot detyrën.
Koronavirusi u përhap si një zjarr i egër nëpër lagjet e mbipopulluara të ultra-ortodoksëve, duke pasur rreth një të tretën e të gjitha rasteve me Covid-19. I etur t`a portretizojë veten e tij si shpëtimtar të Izraelit, Netanyahu e përqendroi të gjithë vendimmarrjen mbi pandeminë brenda një rrethi të vogël këshilltarësh, duke refuzuar të përfshinte agjencitë qeveritare përtej këshillit të sigurisë kombëtare dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Për pasojë, vendimet jo vetëm që u politizuan shumë, por për shkak të mungesës së përvojës dhe kapacitetit planifikues, pasi mbaroi bllokimi i parë, Izraeli nuk kishte mënjë strategji koherente të daljes nga pandemia. Në fund të gushtit, Izraeli ishte një lider botëror në normën ditore të infeksioneve të reja në raport me popullsinë.
Në shtator, u bë vendi i parë në botë që hyri në një bllokim të dytë mbarëkombëtar. Bllokimi e uli disi shkallën e rasteve të reja. Por teksa popullata nisi t`a humbasë durimin me qeverinë, kufizimet e humbën efektivitetin e tyre. Infektimet nisën të shtohen prapë.
Rekomandimet e zyrtarëve të shëndetit publik për bllokime të lokalizuara (të ngjashme me sistemin e niveleve në Britani) u rrëzuan nga Netanyahu, nën presionin e partnerëve të tij politikë. Përgjegjësia për gjurmimin e kontakteve iu transferua ushtrisë, por kjo dështoi, pasi numri i rasteve i mbingarkoi me punë ushtarët,ndërsa izraelitët hezituan të zbulonin detaje.
Nivelet e vdekjeve në Izrael mbetën relativisht të ulëta, vetëm falë një popullsie shumë më të re sesa ajo në vendet perëndimore dhe falë spitaleve publike të një niveli të lartë. Netanyahu filloi të fokusohej tek vaksina. Në fillim, u duk se do të ishte një strategji humbëse.
Ai e urdhëroi që në shkurt 2020 Qendrën Kombëtare të Kërkimit Biokimik të niste punën për një vaksinë izraelite. Por puna e saj ishte ende në fazat e hershme të zhvillimit, pasi gjigantët shumë më të mëdhenj të farmaceutikës, kishin përparuar shumë.
Më pas Izraeli nënshkroi në qershor marrëveshje me kompanitë Moderna dhe AstraZeneca, për të zbuluar në nëntor se Pfizer do të ishte i pari me një vaksinë të aprovuar. Netanyahu i urdhëroi zyrtarët e tij të hynin në negociata emergjente me Pfizer, dhe telefonoi personalisht drejtuesin e kompanisë.
Ai autorizoi avokatët qeveritarë të nënshkruanin një kontratë, me të cilën Izraeli do të paguante dyfishin e asaj që anëtarët e BE-së po paguajnë për dozën e parë, dhe hoqi dorë nga çdo përgjegjësi për Pfizer, për sa kohë që Izraeli do të merrte dërgesën e tij të parë me katër milion doza në datën më të hershme të mundshme, në dhjetor.
Kur mbërriti dërgesa e parë me vaksinën e Pfizer më 9 dhjetor 2020, kishte nisur prej kohësh një operacion i përgatitjes së magazinimit dhe logjistikës së shpërndarjes. Dhjetë ditë më vonë, Netanyahu ishte izraeliti i parë që u vaksinua direkt në televizion. Të nesërmen në mëngjes, vaksinimi filloi në gjithë Izraelin, dhe deri tani ka qenë një sukses i madh.
Po si u shndërrua një situatë kaotike në një sukses të tillë brenda natës?Izraeli është një vend i vogël, i shumë populluar, me 9 milion qytetarë në vetëm 20.000 kilometra katrorë (duke mos përfshirë territoret palestineze të okupuara ushtarakisht). Ky tipar demografik bëri që virusi të përhapet shpejt.
Edhe vaksinat u shpërndanë brenda disa orësh nga ambientet kryesore të magazinimit, në qendrat e vaksinimit në të gjithë vendin. Sistemi shëndetësor i decentralizuar, që dyshoi të kryente testimet masive apo gjurmimin e kontakteve, ishte i përsosur për të vaksinuar deri në 200.000 Izraelitë në ditë, falë konkurrencës së brendshme midis ofruesve të kujdesit shëndetësor publik.
Por ekziston natyrisht edhe aspekti politik. Përqendrimi i pushtetit në zyrën e kryeministrit dhe politizimi i vendimmarrjes nga Netanyahu, e pengoi shumë menaxhimin fillestar të pandemisë, por sigurisht që po ndihmon tani me vaksinimet. Netanyahu përballet më 23 mars me një palë zgjedhje të vështira, ndaj po e bën fushatën e suksesshme të vaksinimit si kauzën kryesore të fushatës për rizgjedhjen për një mandat tjetër.
Përfshirja e Netanyahut mund të ketë qenë ose jo arsyeja kryesore pse Pfizer dhe Moderna janë përgatitur t’i dërgojnë Izraelit ngarkesat e hershme të vaksinave. Faktorë kanë qenë sigurisht edhe instiktet e mbijetesës politike.
Ashtu siç ka edhe madhësia relativisht e vogël e Izraelit dhe gatishmëria e tij për të paguar një kosto extra,dhe për të ndarë të gjitha të dhënat mbi efikasitetin dhe efektet anësore të cilat do të mblidhen nga sistemi shëndetësor, në bashkëpunim me prodhuesit e vaksinave. Në këmbim, Pfizer ka premtuar tashmë të çojë dërgesa të reja më të përshpejtuara.
Ndërsa bashkësia globale kërkon të mësojë leksionet e vitit të epidemisë, Izraeli shërben si një provë e përsosur mbi mënyrën se si nuk duhet menaxhuar një pandemi, dhe si të vaksinohet më së miri një popullatë e tërë.