Mbrëmje e trishtë për muzikën qytetare fierake. Timo Lule ka humbur jetën në moshën 95-vjeçare. Lule nuk i ka shpëtuar komplikacioneve të shkaktuara nga Covid-19, duke u ndarë nga jeta mbrëmjen e sotme në një spital në Como të Italisë. Lajmi konfirmohet nga djali i tij dhe të afërm të familjes edhe nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.
Karrierën muzikore Timo Lule do ta niste në Ansamblin e Ushtrisë ku nën drejtimin e mjeshtrit Gaqo Avrazi do të këndonte krahas mjeshtrave Mentor Xhemali, Ibrahim Tukiçi, Xhoni Athanas, Maliq Herri, etj. Më pas do të vijonte në Fier si mësues, inspektor arsimi, këngëtar në trupën e estradës profesioniste dhe drejtues artistik i shtëpisë së kulturës. Timo Lule u shqua veçanërisht në interpretimin dhe përpunimin e këngës qytetare e popullore, duke i qëndruar besnik tabanit dhe traditës lokale. Këngë të interpretuar prej tij gjenden sot në arkivat e fonotekës kombëtare.
Disa prej arritjeve të tij ndër vite ishin edhe ngritja e grupeve artistike dhe ansambleve amatore të Semanit, Cakranit, Gorishovës, Hekalit, si dhe arkivimi në Institutin e Folklorit të një korpusi prej 240 këngësh të regjistruara të Fierit dhe Myzeqesë. Në vitin 2009, Timo Lule, botoi edhe librin “Fieri dhe Kënga”, një studim me vlera jo vetëm në fushën e folklorit muzikor por edhe atë të historisë. Për kontributin e tij në fushën e arsimit dhe të kulturës, Timo Lule është nderuar me titullin ‘’Qytetar Nderi i Qarkut Fier’’