Këngëtarja shqiptare Ava Max është një prej emrave më të njohur të muzikës në botë, e cila nuk ngurron aspak ta tregojë kudo me krenari origjinën e saj shqiptare. Sa herë i jepet rasti në intervista të ndryshme apo edhe në rrjete sociale, Ava flet shqip. Së fundmi, këngëtarja shqiptare ka realizuar një intervistë për “Forbes”, ka folur për faktin që tregohet shumë feministe në këngët e saj.
Ava Max tha se nuk i intereson nëse kjo është problem vetëm për një pjesë të njerëzve (referuar meshkujve). “Unë në thelb e bëj gjithçka një himn femëror. Ky është problemi. Nuk e di në se kjo përbën problem për disa. Mund të jetë për disa njerëz. Nuk është për mua. Është qesharake kur shkon në internet dhe lexon komente të tipit: ‘A do të flasë ajo për burra të ashpër gjatë gjithë kohës?’ Dhe unë them: ‘Po’. Unë i urrej të gjithë ish-partnerët e mi”- u shpreh 26-vjeçarja.
Së fundmi, ajo ka realizuar edhe një intervistë për “Telegrafin”, ku ka folur më shumë për projektet e saj dhe planet për vitin 2021. Publikisht, Ava ka treguar se do të vijë për herë të parë në Shqipëri për të vizituar vendin e origjinës së saj. “Po, po dhe po! Ndjehem sikur e kam thënë tani për vite me radhë dhe i kam thënë vetës hajde pra, është koha të shkoj atje! Kështu që po – premtoj se do të vij në Shqipëri. Prejardhja ime është shumë e rëndësishme për mua dhe atë se kush jam tani. Prindërit e mi u zhvendosën këtu nga Shqipëria dhe ma kanë ngulitur këtë krenari të pabesueshme për vendin tonë. Mezi pres të vij!”- tha Ava.