Partia Demokratike mohon kategorikisht opsionin që Fatmir Mediu dhe Shpëtim Idrizi të kandidojnë me formacionet e tyre veçmas. Gazment Bardhi dha mbrëmjen e së premtës në ‘Java në RTSH’ se partia që ai përfaqëson është tashmë duke u marrë me detajet finale të marrëveshjes me PR dhe PDIU.
Bardhi u shpreh se marrëveshja në fjalë do të bëhet publike ditët në vijim.
“Ne kemi rënë dakord të dalim në zgjedhje në koalicion si parti të opozitës së bashkuar. Në disa qarqe mund të dalim me listë të ëprbashkët pasi u konsultuam me teknikët tanë me qëllim që asnjë votë opozitare të mos shkojë dëm dhe sugjerimi i tyre ishte ky” – tha Bardhi.
Numri dy i PD komentoi edhe kandidatët apo drejtuesit e qarqeve që Lulzim Basha ka caktuar. Bardhi tha se në listat është normale që të ketë emra me ekperienca brenda PD, apo të cilësuar si ‘të konsumuar’.
“Drejtimin politik nuk mund t’ua besojmë emrave që vijnë nga shoqëria civile. Sigurisht që do të ketë emra politikë. Zoti Berisha do të kandidojë ku të dojë vetë. Ndërsa zoti Basha me shumë gjasa do të drejtojë listën e Qarkut të Tiranës” – tha Bardhi në studion e emisionit “Java në RTSH”.