Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan të hënën në Bruksel për ndarjen e vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të fqinjësisë lindore. Sipas burimeve diplomatike të BE-së, në këtë takim u përsërit qëllimi i BE-së që “sa më parë” të sigurojë një sasi të dozave të vaksinave edhe për vendet në fjalë, të cilat do të ndaheshin nga sasia që u dedikohet vendeve anëtare. Por, problem serioz në këtë moment thuhet se paraqesin vonesat në shpërndarjen e vaksinave nga prodhuesit te vendet anëtare të BE-së. Kjo, sipas burimeve në Bruksel, e vështirëson edhe donacionin e vaksinave që BE-ja e ka paralajmëruar për vendet e Ballkanit Perendimor. Komisioni Evropian është në bisedime me prodhuesit e vaksinave për t’i detyruar ata që t’i përmbushin obligimet nga marrëveshja për shpërndarjen e tyre.
Aktualisht, vetëm dy vaksina janë të autorizuara për përdorim në BE: Pfizer/BioNTech dhe Moderna. Nga Komisioni Evropian është paralajmëruar se deri në fund të kësaj jave do të autorizohet edhe vaksina e zbuluar nga Universiteti i Oxfordit dhe e prodhuar nga kompania AstraZeneca. Kjo kompani e ka shqetësuar BE-në me njoftimet se në çerekun e parë të vitit do të shpërndajë 60 për qind më pak vaksina sesa që janë porositur.
Vonesat e tilla në BE tash përmenden si arsye shtesë se përse ende asnjë vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk ka marrë ndonjë sasi të vaksinave përmes BE-së. Shumica e vaksinave për këto vende pritet të arrijnë përmes nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila synon shpërndarjen e vaksinave edhe në vende të varfra. Por, duke e ditur se ato do të arrijnë më vonë, në BE pohojnë se do të “bëjnë çdo gjë në mundësinë e tyre” për të siguruar qasje sa më të shpejtë në këto vaksina edhe për vendet e rajonit. BE është donatore kryesore në nismën COVAX me mbi 800 milionë euro, BE-ja ka dhënë edhe 70 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’iu ndihmuar në fushatën e vaksinimit.