Shtetet anëtare të BE-së miratuan sot me unanimitet një rekomandim të Këshillit Europian për të vendosur një kuadër të përbashkët për përdorimin e testeve antigjenike të shpejta dhe njohjen e përbashkët të rezultateve të testeve COVID-19 në të gjithë Bashkimin Europian. Bëhet fjalë për një mjet qendror për të ndihmuar në zbutjen e përhapjes së virusit dhe për të kontribuar për mirëfunksionimin e tregut të brendshëm.

Rekomandimi i Këshillit i referuar ishte dakorduar përmes një procedure të shkruar dhe jo i lidhur me videokonferencën e liderëve të BE-së. Kjo është raportuar nga burime të mirëinformuara në Bruksel. “Ne mbështesim propozimet gjermane për kontrolle kufitare më strikte dhe kërkesat për teste për të shmangur variantet e virusit”, shkruan në Twitter kancelari austriak, Sebastian Kurz ndërkohë që videokonferenca e drejtuesve europianë po zhvillohet.

“Ne po punojmë me vendet e tjera të BE-së për një miratim më të shpejtë dhe më pak burokratik të AstraZeneca dhe vaksinave të tjera”, shtoi Kurz duke theksuar se AstraZeneca mund të furnizojë Austrinë me dy milionë doza vaksinash në tremujorin e parë, gjë që do të përmirësonte në mënyrë të konsiderueshme fushatën e vaksinimit. “Diskutime të rëndësishme me drejtuesit e BE-së mbi etapat e ardhshme për të luftuar kundër pandemisë”, theksoi në Twitter presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen./Atsh/