Presidenti i zgjedhur, Joe Biden finalizoi sot formimin e ekipit të tij diplomatik, që do të përfshijë shumë ish-anëtarë të kabinetit Obama, me një vullnet të theksuar për t’u shkëputur nga unilateralizmi i Donald Trump dhe për të “rregulluar” politikën e jashtme amerikane. Kreu i ardhshëm i shtetit kishte njoftuar tashmë në fund të nëntorit se kishte zgjedhur një ish-anëtar tjetër të administratës së Obamës, Antony Blinken, për postin vendimtar të sekretarit të shtetit. Numri dy i diplomacisë amerikane do të jetë, Wendy Sherman (71 vjeçe), tashmë këshilltare diplomatike në kohën e Bill Clinton para se të bëhej nënsekretare Shteti për Çështjet Politike gjatë mandatit të dytë të Barack Obamas.

Zëvendëssekretarja e ardhshme e shtetit, Sherman ka qenë veçanërisht një nga linjat kryesore amerikane të marrëveshjes bërthamore iraniane dhe ka punuar në çështjen koreano-veriore në qeverinë Clinton. Një emërim tjetër i njoftuar sot, ai i zëvendëssekretarit të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, një menaxher operacional i diplomacisë amerikane. Bëhet fjalë për Brian McKeon, një mik i ngushtë i Joe Biden, të cilin ai e këshilloi për një kohë të gjatë kur ky i fundit ishte ende senator, para se të zinte pozicione të ndryshme në qeveri gjatë dy mandateve të Barack Obamas. “Me Antony Blinken, ky ekip do të ketë për mision “rregullimin” e politikës së jashtme amerikane”, theksoi në një komunikatë, ekipi i Joe Biden dhe Kamala Harris.

Siç kishte bërë kur u njoftua emri i Antony Blinken, presidenti i ardhshëm në mënyrë të qartë dëshiron të shënojë prishjen me politikën e jashtme nacionaliste dhe unilateraliste të Donald Trump, për t’u rilidhur me një linjë vendosmërisht multilateraliste. Fytyrat e reja të diplomacisë amerikane “mishërojnë bindjen time të thellë se Amerika është më e fortë kur bashkëpunon me aleatët e saj”, theksoi Joe Biden në deklaratë. Presidenti i ardhshëm kërkon kështu të “rivendosë lidershipin moral dhe botëror të SHBA-së, të mbështetur nga këta aleatë. “Amerika është kthyer”, theksoi ai. Sot, Joe Biden zgjodhi gjithashtu zyrtarisht tre nënsekretarë Shteti, tre gra që kanë punuar në qeverinë e Barack Obamas.