Tirana reagoi për herë të parë rreth lajmit të bllokimit të merkatos për shkak të pagave të prapambetura ndaj ish-lojtarit të saj Moktar Cise. Nëpërmjet faqes zyrtare, kampionët në fuqi të Shqipërisë bëjnë me dije se klubi nuk ka asnjë borxh të prapambetur, ndërsa thekson se për rastin e sulmuesit nga Mali, ata kanë qenë palë e tretë. Më tej, 25-herë kampionët e Shqipërisë shtojnë se çështja po ndiqet nga klubi me kujdes.

Sulmuesi 27-vjeçar nga Mali Cise ka fituar në FIFA gjyqin me Tiranën për 200 mijë euro rroga të pashlyera. Ai ishte pjesë e skuadrës në sezonin 2016/2017. Nga kjo situatë, Tirana humbi mundësinë të transferonte Ferhan Hasanin dhe Matej Cvetanoskin.

Reagimi i Tiranës për bllokimin e merkatos: Klubi I Futbollit Tirana njofton se po punon në zbardhjen e cështjes së bllokimit të merkatos. Pavarësisht lajmeve që qarkullojnë, theksojmë se nuk bëhet fjalë për asnjë borxh të prapambetur. KF Tirana sqaron se bëhet fjalë për një cështje në të cilën klubi ka qënë palë e tretë. Ky lajm u bë I ditur ditën e sotme dhe klubi vijon të mbetet në bisedime me zyrtarë të FIFA-s për të zgjidhur këtë cështje. Nënvizojmë se për cdo të re apo përditësim njoftimet do të dalin vetëm nga faqja zyrtare e klubit.