Qeveritë në mbarë botën kanë njoftuar për kufizime të reja të udhëtimit, që do të hyjnë në fuqi gjatë kësaj fundjave, pas rritjes së shqetësimeve lidhur me përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit, që janë më ngjitës.
Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Portugalia dhe Republika Çeke janë në mesin e shteteve të fundit që kanë njoftuar për kufizime të reja të udhëtimit, pas paraqitjes së varianteve të reja, që fillimisht u identifikuan në Mbretëri të Bashkuar, Brazil dhe Afrikë të Jugut.
Masat e reja vijnë teksa zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se vaksinat kundër koronavirusit, që kanë nisur të administrohen në disa vende të botës, nuk do të ofrojnë mbrojtje të duhur, veçanërisht ndaj mutacioneve të virusit, që shkaktuan një shpërthim të ri të infeksioneve në Brazil dhe Afrikë të Jugut.
Dr.Anthony Fauci, eksperti kryesor i Qeverisë amerikane, tha më 29 janar se rritja e përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit do të thotë që kompanitë e prodhimit të vaksinave duhet të jenë të gatshme të prodhojnë doza të reja, në mënyrë që të mund të përballen me krizën shëndetësore.
“Kjo është një thirrje për zgjim për të gjithë ne”, tha Fauci, duke shtuar se është e rëndësishme që njerëzit të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që variante të reja të koronavirusit të mos zhvillohen.
Në Evropë, qeveritë janë duke vendosur kufizime më të ashpra të udhëtimit, teksa mutacionet e reja të virusit janë përhapur në shumë shtete në mbarë botën.
Franca do të mbyllë kufijtë e saj më 31 janar për njerëzit që vijnë nga shtetet që gjenden jashtë Bashkimit Evropian.
Kryeministri francez, Jean Castex njoftoi për këtë masë, teksa paralajmëroi për “rrezik të madh” nga variantet e reja të koronavirusit.
Po ashtu, kushdo që udhëton nga shtetet e BE-së duhet të paraqesë një test negativ për koronavirus.
Britania ka njoftuar se ka shtuar në listën e ndalimit të udhëtimit edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Burundin dhe Ruandën sepse ka frikë nga përhapja e variantit të virusit, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut.
Nga 30 janari, Gjermania po ashtu do të ndalojë shumicën e udhëtarëve nga shtetet që tashmë kanë raportuar raste me variantet e reja të virusit: Britania, Irlanda, Portugalia, Brazili, Afrika e Jugut, Lesoto dhe Esvatini.
Republika Çeke po ashtu ka ndaluar arritjen e udhëtarëve të huaj jo të domosdoshëm, por ka disa përjashtime.
Presidentja e Komisionit Evropain, Ursula von der Leyen ka thënë se të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme “fuqishëm duhet të dekurajohen”.
Megjithatë, blloku evropian vazhdon të jetë kundër ndalesave të udhëtimeve apo mbylljes së kufijve kombëtarë, pavarësisht se disa anëtarë të bllokut kanë shprehur qëndrimin e tyre për ndërmarrjen e veprimeve më të ashpra.
Portugalia, që ka lidhje të forta me Brazilin, ka parë rritje të madhe të rasteve të reja dhe këtë javë ka vendosur që të kufizojë udhëtimet e të huajve.
Belgjika ka ndërmarrë hapa të ngjashëm, duke thënë se kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri më 1 mars.
Në Amerikën e Jugut, shumica e shteteve fqinje të Brazilit kanë nisur të vendosin kufizime për udhëtimet ndërkombëtare, për shkak të shqetësimeve lidhur me variantin e ri të identifikuar në Brazil.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ka njoftuar se udhëtarët duhet të futen në karantinë nëpër hotele dhe shpenzimet duhet t’i paguajnë vetë. Ndërkaq, kompanitë ajrore në këtë shtet, tashmë kanë nisur që të pezullojnë fluturimet për në Meksikë dhe në Karaibe deri në fund të prillit.
“Tani nuk është koha për udhëtime”, tha Trudeau.
Përveç testit negativ para se të nisen drejt Kanadasë, udhëtarët do t’i nënshtrohen testit PCR posa të arrijnë në këtë shtet. Nëse testi u del negativ, ata duhet më pas të izolohen për 14 ditë në shtëpitë e tyre “nën një vëzhgim më rigoroz nga forcat e rendit”, tha Trudeau.