Kryebashkiaku i Rio de Janeiro, Eduardo Paes njoftoi të enjten, 21 janar anulimin e karnavaleve të këtij viti për shkak të pandemisë, hera e parë pas 109 vitesh. “Unë kurrë nuk e kam fshehur pasionin tim për karnavalet dhe rëndësinë kulturore që kanë ato për qytetin tonë. Sidoqoftë, më duket pa kuptim të mendoj se do të kemi kushte për t’i realizuar në korrik,” shkroi Paes në Twitter.

Karnavalet ishin planifikuar fillimisht për në datën 13 deri në 16 shkurt, por u shtynë për në korrik. “Kjo festë kërkon përgatitje të madhe nga ana e organeve publike dhe institucioneve, diçka e cila është e pamundur në këtë moment,” tha Paes. Karnavalet e Rio de Janeiro konsiderohen si festivali më i madh në botë në ambient të hapur, duke tërhequr çdo vit miliona njerëz nga Brazili dhe e gjithë bota.