Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, nga Gjirokastra ka deklaruar se angazhimi i menjëhershëm i strukturave të emergjencave civile lokale dhe qendrore, si dhe investimet e kryera ndër vite kanë mënjanuar përkeqësimin e situatës nga reshjet intensive të shiut në vend, gjatë ditëve të fundit. Ministri Çuçi, mëngjesin e kësaj të hënë ka marrë pjesë në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave të Qarkut Gjirokastër, ku bashkë me drejtuesit vendorë diskutuam për koordinimin e punës në përballimin e emergjencës së krijuar nga reshjet intensive.

Sipas Çuçit, falë investimeve që kemi kryer dhe angazhimit të menjëhershëm si asnjëherë më parë të të gjithë strukturave shtetërore, kemi sot një gjendje që s’ka të krahasuar me të shkuarën. Sidoqoftë jemi në gatishmëri të plotë dhe në alert për çdo situatë eventuale.

“Problemet gjithnjë do të jenë prezentë, por mua më vjen mirë që në një skenarë që ka ndodhur edhe më përpara sa i takon intensitetit të rreshjeve, kohëzgjatjes, sot, jemi në një realitet ndryshe. Kjo, falë gjithë punëve që janë bërë në këtë qark, duke nisur nga kryetarët e bashkive dhe duke vijuar deri tek ministritë përkatëse sipas sektorit që mbulojnë”,- tha Çuçi.

“Me thënë të drejtën, ju i vutë emra investimeve, por pa këto investime do të kishim një realitet krejt tjetër nga reshjet dhe intensitetit i lartë i tyre. Lajm i mirë, që padyshim dhe komunitet tona, që ju përfaqësoni e kanë memorien e freskët se vetëm para pak vitesh, këtu bllokohej në tre pika rruga kombëtare Kakavijë- Tepelenë. Prezenca e Pushtetit lokal, strukturave qendrore, kanë bërë të mundur të zgjidhnim në kohë rekord këto emergjenca, qoftë këtu dhe problematikën e energjisë, ku në njërën pjesë duhet ndërhyrje për rinovimin e të gjithë rrjetit të transmetimit dhe po e bëjmë këtë gjë. Qoftë pjesës së bllokimit të segmenteve shumë të vogla rrugore, që mund të krijonim problematika në lëvizjen e qytetarëve. Qoftë për situatën e krijuar nga reshjet të cilëve mund t’i rrezikohej pasuria, prezenca ka qenë e plotë e strukturave lokale e qendrore”,- theksoi Çuçi.

“Kemi krijuar një protokoll të qartë e më vjen mirë që në të gjithë Shqipërinë kanë funksionuar në mënyrë efikase këshillat e emergjencave civile, koordinuar kjo me shtabin e emergjencës në qendër me ministrin e mbrojtjes në krye, me zyrën e km që ka qenë 24 orë në kontakt me zonat ku ka patur problematika. I gjithë shteti në gatishmëri. Kjo është një gjë që pa diskutim na bënë krenar gjithë secilin nga ne. Është e ndjeshme dhe në komunitetit që ju përfaqësoni. S’duhet të harrojmë çfarë ndodhte më përpara. Ku jo vetëm lihenin qytetarët në mëshirën e fatit, por edhe prezenca e strukturave përkatëse ishte inekzistente thuajse. Duhet ta ruajmë këtë ritëm për sa i takon forcës reagues të qeverisë dhe të pushtetit lokal, dhe pa diskutim ka vend edhe për t’u përmirësuar”,- tha Çuçi.