Dy vite më parë futbollisti me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, u bë baba për herë të parë. Bashkëshortja e tij, Leonita, solli në jetë një vajzë, që u pagëzua me emrin Ayana. “Mirëseerdhe princeshë e vogël! Mami dhe babi të duan shumë”, shkroi Graniti në rrjete sociale pas lindjes së vajzës në tetor të 2019-tës. Mirëpo tashmë duhet të mendojë se çfarë do të shkruajë sërish pas disa muajsh, pasi familja Xhaka do të shtohet me një anëtar të ri. Ditën e sotme Graniti ka zbuluar se bashkëshortja e tij është sërish në pritje të ëmbël dhe shumë shpejt ata do të bëhen prindër për herë të dytë.
Futbollisti ka postuar në Instagram një foto shumë të ëmbël, në të cilën shihet përkrah bashkëshortes dhe vogëlushes së tyre, që shumë shpejt do të marrë rolin e motrës së madhe. Leonitës i dallohet qartë barku i rrumbullakosur dhe për gjithë këto muaj ja ka dalë ta mbajë të fshehtë shtatzëninë e saj. “Familja jonë e vogël po rritet… Mezi po presim të të njohim”, ka shkruar Graniti përkrah fotos. Gjininë ai nuk e ka zbuluar ende dhe se kur mundet të vijë në jetë fëmija i dytë i tyre. Kujtojmë se Graniti dhe Leonita u fejuan në prill të 2015-s. Në korrik të 2017-s, ata kurorëzuan fejesën 2-vjeçare në martesë.