7 600 biznese nga data 1 janar e këtij viti nisën zbatimin e sistemit të ri të lëshimit të faturave tatimore, të njohur si fiskalizimi. Subjektet në marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë fatura elektronike, duke përdorur softuerin e instaluar në pajisjen e tyre kompjuterike, telefon apo tabletë. Faturat elektronike do të shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se aktualisht janë 19 subjekte të cilat janë certifikuar për të shitur softuer.

Ndërkohë, shtoi ajo gjatë një interviste në medie, janë mbi 50 subjekte që janë në faza testimi dhe pritet të certifikohen në një fazë të shkurtër. Për një periudhë tranzitore nuk do të ketë masa ndëshkuese për subjektet që nuk e kanë blerë softuerin dhe se do të kenë mundësinë të përdorin portalin Self Care, nëpërmjet të cilit do të lëshojnë faturat për entet publike. Ibrahimaj theksoi se ky sistem do sjellë eliminim gradual të kasave fiskale aktuale nga tregu. “Ky është një proces gradual i modernizimit dhe në mënyrë natyrale kasat do të dalin jashtë funksionimit gjatë viteve në vijim. Ka disa subjekte që po zhvillojnë një server të ndërmjetëm që do të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet kasave aktuale dhe sistemit të ri të fiskalizimit. Ende nuk ka asnjë server të ndërmjetëm të certifikuar por jemi në dijeni që ka subjekte që po e zhvillojnë këtë si procedurë”, u shpreh Ibrahimaj.

Sa i përket kostove për biznesin, Ibrahumaj shprehu bindjen se hapja e tregut ul kostot. “Ne kemi softuer të cilat fillojnë me kosto më pak se 100 euro mirëmbajtje në vit bashkë me blerjen e softuerit, dhe çmimi më i lartë nuk mund të kalkulohet, pasi është në varësi të produktit që tatimpaguesi do të kërkojë”, shprehet ajo.

Kjo është faza e parë e procesit të fiskalizimit, ndërkohë në korrik 2021 do fillojë lëshimi i faturave elektronike biznes me biznes dhe në 1 shtator biznes me konsumator. Me implementimin e këtij sistemi çdo transaksion do të regjistrohet në kohë reale duke i dhënë mundësinë administratës që të identifikojë më shpejt rastet e abuzimeve.