Franca nuk duhet të përjashtojë mundësinë e një izolimi të tretë për të marrë kontrollin e pandemisë koronavirus. Kjo është kërkesa e ekspertëve të lartë të shëndetësisë së këtij shtetit, të cilët theksojnë se niveli i rasteve të reja ditore po rritet ndjeshëm. Megjithatë, është ende herët për ta marrë këtë vendim. “Për momentin, mendoj se është shumë herët për të rekomanduar një izolim të përgjithshëm. Ndoshta një karantinë lokale mund të vendosë në disa zona, por nuk mund të përcaktoj se cilat zona, pasi nuk e di mirë situatën rajonale. Por, mendoj se për pak ditë do të mësojmë nëse nevojitet që të izolohemi sërish ose jo. Por, kjo nuk duhet të përjashtohet si mundësi”, deklaroi Eric Caumes, ekspert i sëmundjeve infektuese.
Franca përfundoi izolimin e dytë kombëtar për të luftuar përhapjen e Covid-19, më 15 dhjetor, i cili zgjati një muaj e gjysmë. Ai u zëvendësua me një shtetrrethim gjatë mbrëmjes. Qeveria parashikon një rihapje të eventeve kulturore, më 7 janar dhe të restoranteve më 20 janar, por eksperti i shëndetësisë thotë se zhvillimet aktuale e vendosin në dyshim një gjë të tillë.
“Nuk besoj se tani është koha që të zbusim masat aktuale, duhet të jemi shumë të qartë për këtë. Nëse lehtësojmë kufizimet e vendosura për të frenuar pandeminë, niveli i përhapjes do të rritet dhe atëherë do të gjendemi përballë një situatë të ngjashme me atë të Anglisë”, tha Caumes. Franca raportoi mbi 20 mijë raste me koronavirus në 24 orët e fundit, duke shënuar ditën e 7 radhazi me shifra gjithnjë e në rritje. Që prej fillimit të pandemisë, ky shtet numëron rreth 2.7 milionë persona të prekur dhe mbi 66 mijë jetë të humbura.