Nga Alfred Peza
Modeli i Presidentit në ikje të SHBA Donald Trump, i ushqeu shumë politikanëve të botës së lirë iluzionin, se në epokën e rrjeteve sociale mund të bësh politikë të suksesshme edhe pa rregulla loje. Me sa duket, “rendi i ri global” për një kategori liderësh apo ambiciozësh të paskrupullt, është kuptuar si një alternativë ku semaforët politikë vlejnë vetëm atëherë kur ata fitojnë, por asnjëherë kur humbasin.
Ky lloj shembulli, ishte më së shumti frymëzim për politikanët e shteteve me demokraci të brishtë dhe për shoqëri që nuk e kanë ende lojën pluraliste, si pikën e tyre më të fortë. Nëse për shtetet euro-atlantike me sistem demokratik të konsoliduar, dëmi kolateral në një rast si ky është relativisht më i vogël, për shoqëri si ato të rajonit tonë triumfi i modeleve të tilla do të ishte rrënimtar. Aq më tepër që në Ballkan apo ish republikat sovjetike, karikaturat e modelit Trump, veç të tjerash janë edhe më banalë.
Të frymëzuar nga Trumpizmi, shumë prej tyre duket sikur po bënin kostumet e pushtetit politik gati, për aq kohë sa sistemet e shoqërive tona nuk kanë filtrat e sistemit demokratik amerikan. E ta mendosh se kur as vetë shteti lideri i botës demokratike, nuk arriti që të parandalonte ngjitjen në majën e sistemit të liderëve si Donald Trump, vetëm mund ta imagjinos sesa të thjeshtë do ta kishin klonet e tij që të mund tia dilnin herët ose vonë.
Për ta kuptuar sesa e mundshme ishte kjo, mjafton të kujtojmë se në Shqipëri, disa nga politikanët pjesë e lidershipit opozitar kishin filluar të bënin provat gjenerale për këtë me shpresën se kjo qasje mund ti ndihmonte edhe në zgjedhjet e 25 prillit. Fati i madh yni ishte se askush nuk i kishte të mishëruara veç e veç të gjitha tiparet, karakteristikat dhe profilin, që e bënë Trumpin të jetë sot një model i tillë. Të vetëdijshëm për këtë, të gjithë bashkë ndoshta edhe mund të prodhonin një “Donald” ballkanik, ndaj filluan ta imitonin në atë që dinë të bëjnë më mirë në kushtet shqiptare.
Berisha përshembull, është një model “trumpist” shqiptar në përpjekjet e tij të pashterura, për të komunikuar me shqiptarët siç edhe Presidenti Amerikan, përmes rrjeteve sociale. Nuk ka rëndësi nëse Donald preferonte twitterin dhe Saliu facebook-un. Ajo që i bashkon të dy, si të jenë vëllezër siamzë politikë, është se janë e njëjta gjë në mënyrën sesi abuzojnë me të pavërtetat, sesi manipulojnë turmat dhe nxisin qytetarët, në interes të qëllimeve të veta për pushtet.
Ilir Meta i parapriu madje modelit “trumpist” në versionin shqiptar, kur çdekretoi zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kur dekretoi zgjedhjet e 13 tetorit që jo vetëm nuk u zhvilluan, por për të cilat bën çmos që të harrohen e të mos flitet më kurrë. E më pas sesi po e përdor selinë e Presidentit të Republikës, për lojën e tij politike, në funksion të interesave të LSI dhe të tijat elektorale për zgjedhjet e pranverës.
Nëse Trump bëri gjithçka duke i frymëzuar njerëzit drejt sulmit mbi Kapitol në funksion të mandatit të tij të dytë presidencial, Meta me protestën e 2 marsit dhe mosdënimin e dhunës mbi institucionet kushtetuese, i bëri në funksion të karrierës së tij politike pas mandatit aktual.
Ndërsa Monika Kryemadhi, u mundua që ta kopjonte modelin e lidershipit të Trump, në qasjen ndaj pandemisë, kur nxiste njerëzit të mos mbanin maskë, të mos besonin tek Covid-19, tek shkenca e mjekësia në përballimin e saj.
Sa për Lulzim Bashën mjafton të kujtosh që as në shqip nuk e mbajti dot qëndrimin e tij në emër të Partisë Demokratike për zhvillimet e dhunshme të 6 janarit në Washington, për të kuptuar se ai nuk distancohet dot nga shëmtira të tilla demokratike, të cilat e kanë shoqëruar jetën e forcës që drejton sot, nga “grushti i shtetit” i 14 shtatorit 1998, e deri tek “revolucioni i molotovëve” të 2019 dhe “revolucioni i gurëve” të pak javë me parë.
Kaq mjafton për të kuptuar se kemi të bëjmë me liderë politikë që për të realizuar ambicjet e tyre personale për pushtet, nuk duan të luajnë përmes rregullave të lojës demokratike. Por duan të shfrytëzojnë çdo hapësirë të diskutueshme, zonë gri, të errët apo të zezë të sistemit duke nxitur jo pozitivitetin por duke i fryrë të gjitha urave të zjarrit që prodhojnë frikërat, fobitë, paranojat, injoraca dhe pasiguria ndër grupet e ndryshme të qytetarëve të vendit të vet.
Thjeshtë për sa kohë që Donald Trump ishte ende sfidues, menduan se mund të bëjnë politikë me broçkulla dhe kjo do tu jepte atë që nuk e fitojnë dot përmes rregullave, normave dhe ligjësive të sistemit demokratik.