Numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” në vendin tonë rezulton 628 937, ndër të cilat 499 779 ose 79.5% janë janë autovetura.
INSTAT publikoi raportin “Karakteristikat e mjeteve rrugore”, botuar për herë të pare, ku jepet informacion mbi numrin e mjeteve rrugore që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë, të regjistruar me status “aktiv” ose “të çregjistruara përkohësisht” në Regjistrin Kombëtar Shqiptar të mjeteve rrugore. Të dhënat i referohen vitit 2019.
Ndër markat kryesore të autoveturave që qarkullojnë në vend, dominojnë “Mercedez Benz” me 30.7% të vëllimit, e ndjekur nga “Volkswagen” me 16.6% dhe “Ford” 10 %.
Rreth 7.4% e autoveturave që qarkullojnë në vend janë të prodhuara gjatë periudhës kohore 2011. Autoveturat e prodhuara gjatë periudhës kohore 2000-2010 zënë 64.4% dhe autoveturat e prodhuara para vitit 2000, përbëjnë 28.2%.
Sipas detajimit të markave, markat më të përhapura të autoveturave, të prodhuara gjatë periudhës 2011-2019, janë “Mercedez Benz”, “Volkswagen”, “Ford” dhe “Audi”.
Numri më i madh i autoveturave që qarkullojnë në vendin tonë ose 73.3% e tyre përdorin lëndën djegëse “naftë”, 19.4% përdorin lëndën djegëse “benzinë” dhe 7.1% e mjeteve përdorin lëndë djegëse të kombinuar “benzinë dhe gas”.
Sipas vëllimit të motorit, numri më i lartë i autoveturave, ose 66.8%, ka një fuqi motorike deri në 2000 centimetra/kub.