Gjermania dhe Danimarka po shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së dhënies së dozës së dytë të vaksinës kundër COVID-19 të kompanive BioNTech dhe Pfizer për të përmirësuar furnizimin me vaksina.
Një lëvizje të ngjashme e bëri edhe Britania e Madhe, javën e kaluar. Në Berlin, Ministria e Shëndetësisë po kërkon pikëpamjen e një komisioni të pavarur nëse do të vonojë dhënien e dozës së dytë, përtej një maksimumi prej 42-ditësh të parashikuar, sipas një dokumenti të parë nga Reuters të hënën. Dokumenti pason kritikat gjatë fundjavës të Ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn – përfshirë edhe aleatët e tij politikë konservatorë – se Gjermania nuk ka arritur të sigurojë mjaft vaksina dhe ka qenë shumë e ngadaltë në fushatën e saj të vaksinimit.
Masa e Britanisë së Madhe për të vonuar administrimin e një doze të dytë është mirëpritur nga një numër i ekspertëve gjermanë të shëndetit dhe vjen ndërsa qeveritë përpiqen të sigurojnë mbrojtje ndaj koronavirusit për sa më shumë njerëz duke u dhënë atyre një dozë, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe duke vonuar të dytën. Sipas përditësimit të fundit nga Instituti Robert Koch, Gjermania ka vaksinuar rreth 239,000 njerëz që nga fillimi i fushatës së saj më 27 dhjetor. Për krahasim, Britania e Madhe ka administruar mbi një milion vaksina deri më tani, më shumë sesa pjesa tjetër e Evropës së bashku, tha të hënën Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock. Autoritetet shëndetësore daneze gjithashtu po shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes së hendekut kohor midis dy dozave të vaksinave.
Në provat klinike të kompanive të vaksinave nuk është testuar një interval më i gjatë midis dy dozave të vaksinave. Agjencia Reuters raporton se disa shkencëtarë kanë thënë se shtyrja e dhënies së dozës së dytë të vaksinës ishte një plan i arsyeshëm duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme.