Kampioni i Europës në gjimnastikë, Matvei Petrov, i bashkohet klubit të Tiranës. Sportisti elitar i lindur në Rusi, por që prej vitesh ka jetuar në Pragë të Çekisë, mori në vitin 2018 nënshtetësinë shqiptare për të garuar për ngjyrat kuqezi në kampionatin europian të Turqisë, ku fitoi medaljen e tij të parë të artë. 30-vjeçari Petrov u prit sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai i dhuroi gjimnastit Kullën e Sahatit. “Me talentin dhe mbështetjen e deritanishme, duke shtuar edhe energjinë e Klubit të Tiranës, jam i sigurt se kemi një shans historik për të çuar përpara një sport, i cili ka pasur një të kaluar të lavdishme në Shqipëri, por si shumë gjëra në vitet e tranzicionit, u harrua e u venit. Ndoshta ka ardhur koha ta ringjallim”, tha Veliaj.

Petrov u shpreh i kënaqur për suksesin e arritur me ekipin e kombëtares shqiptare dhe i lumtur për mbështetjen e dhënë në arritjen e titullit kampion. “Bëj gjimnastikë prej 26 vjetësh, si fillim në Rusi, më pas në Çeki, dhe së fundmi në Shqipëri. Për mua është një sukses i madh. Jam i lumtur për mbështetjen që më japin këtu dhe për rezultatet”, u shpreh gjimnasti. Trajneri i tij, Alon Hasa, foli mbi mundësinë e të pasurit një palestër gjimnastike, për të cilën u diskutua edhe gjatë takimit me kryebashkiakun Veliaj. Ai shpalosi objektivat për të ardhmen: “Shpresojmë që mund ta çojmë përpara sportin e gjimnastikës, pasi është baza e çdo sporti. Shpresojmë që edhe në Tiranë të arrijmë rezultate në të ardhmen”.

Gjimnasti dhe stafi i tij, së bashku me kryebashkiakun Veliaj, vizituan disa nga shkollat e reja të kryeqytetit, të cilat janë pajisur me palestra moderne dhe terrene sportive. “Ndoshta jo të gjithë do të bëhen gjimnastë elitarë, por këto terrene i shërbejnë kulturës sportive, fëmijët mësojnë lojën në skuadër. Për këtë karakter ka nevojë Tirana”, u shpreh kryebashkiaku.