Kryeministri Rama ka lajmëruar mëngjesin e së enjtes së shumë shpejt do të hapë dyert muzeu më i ri kushtuar historisë së Forcave të Armatosura.
Rama thotë se në këtë muze do të ekspozohen mjete e pjesë të logjistikës së tyre në vite, në rreth 100 mijë metër katrorë sipërfaqe, aty ku dikur sipas tij, ndryshkeshin mjete të vjetra të harruara.
Kryeministri thotë se projekti parashikon që ky muze do të jetë unikal, në periferi të kryeqytetit dhe do të shndërrohet në një atraksion për turistët.
“Mirëmëngjes, shumë shpejt do të hapë dyert muzeu më i ri, kushtuar historisë së Forcave të Armatosura, ku do të ekspozohen mjete e pjesë të logjistikës së tyre në vite, në rreth 100 mijë metër katrorë sipërfaqe, aty ku dikur ndryshkeshin mjete të vjetra e të harruara që shiteshin për skrap nga vandalët pa kujtesë e pa shije të pushtetit të korruptuar në palcë…Një mjedis muzeal unikal në periferi të kryeqytetit, me zonën e mirëfilltë muzeale e atë rekreative, ku natyra e bukur dhe hapësirat brenda objekteve do të krijojnë një pikë të re referimi për vizitorët e të gjitha moshave dhe turistët padyshim”, thotë Rama.
“Aseti më i madh i historisë së Forcave të Armatosura. I vendosur në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan në kilometrin e 15. Pikë referimi për turistët dhe të apasionuarit e FA-së. Atraksioni më i madh ushtarak në vend. Nesër do të kthehet në qendër muzeale dhe rekreative për të gjitha moshat. Qindra mjete të ekspozuara në respekt të plotë të natyrës. Ekspozim i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar. Muzeu do të jetë pjesë e guidës turistike të kryeqytetit”, shprehet Rama.