Avokatët e Dukeshës së Sussex, Meghan Markle, kanë deklaruar se padia kundër tabloidit “Associated Newspapers” për shkelje të privatësisë nuk ka nevojë të shqyrtohet në gjykatë dhe se kjo e fundit duhet të vendosë në favor të Dukeshës. Bashkëshortja e nipit të Mbretëreshës Elizabeth, Princ Harry, ngriti padi ndaj tablodit për shkak se botoi ekstrakte të një letre me shkrim që ajo i dërgoi babait të saj Thomas Markle, në gusht 2018. Meghan deklaron se botimi i letrës ishte një “keqpërdorim” i informacionit privat dhe shkelje e të drejtave të autorit.

Gazeta ndërkohë ka argumentuar se dukesha ishte e gatshme që çështje të tjera private të bëheshin publike nëse i përshtateshin interesave të saj dhe se botimi i disa pjesëve të letrës ishte i justifikuar. Kjo në përgjigje të intervistave që miqtë e saj anonimë kishin dhënë revistës amerikane “People”. Çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë të Londrës nga gjyqtari Mark Warby, i cili sipas avokatëve mbrojtës duhet të japë një gjykim të shkurtër në favor të ish-aktores amerikane.

Ata thanë se vendimi për të botuar letrën ishte një sulm ndaj “jetës private, jetës familjare dhe korrespondencës së Dukeshës”. Gjyqi do të fillonte javën e kaluar, por u shty deri në fund të vitit 2021 për shkak të një arsyeje “konfidenciale”.