Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhacka takoi sot homologun e saj, Ministrin e Jashtëm portugez Augustos Santos Silva. Në fokus të takimit ishin prioritetet e Presidencës portugeze të Këshillit lidhur me dosjen e zgjerimit. Ministrja Xhacka e informoi lidhur me reformat e ndërmarra në Shqipëri në përmbushje të kërkesave të Këshillit të marsit 2020.
Portugalia, e cila ka marrë Presidencën e Këshillit të BE, nga 1 janar -30 qershor 2021 angazhohet, nën moton për veprim, të çojë përpara punën për miratimin e kornizës negociuese për Shqipërinë dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare brenda qershorit 2021. Kryediplomati portugez nënvizoi se, reformat e deritanishme të ndërmarra nga Shqipëria janë në rrugën e duhur dhe se interesi i Portugalisë është ruajtja e besueshmërisë së BE-së në rajon, nëpërmjet zbatimit të vendimeve të marra.
Ministrja Xhaçka falënderoi homologun Silva për mbështetjen që Portugalia ka treguar në avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE, dhe për prioritizimin e qartë të punës së mbetur nga ana e BE, për dosjen e zgjerimit. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan ndikimin e pandemisë në vendet raspektive dhe u angazhuan të vijojnë kontaktet për gjetjen e zgjidhjeve imperative, për luftimin e pasojave të saj, përfshirë bashkëpunimin për vaksinat.