Milani dhe Interi po zhvillojnë një kampionat super dhe shihen si dy kandidatët kryesorë për fitimin e titullit kampion në Itali. Kuqezinjtë e Piolit kryesojnë me 3 pikë më shumë se “kushërinjtë” zikaltër, teksa Blerim Dzemaili ka analizuar garën mes tyre në prononcimin e dhënë për Sky Sport.

“Interi ka një organikë më të kompletuar, ka lojtarë që luajnë në disa pozicione të ndryshme. Zikaltrit mund të bëjnë diferencën në një vit të veçantë si ky. Mesfusha e Contes është e jashtëzakonshme, vetëm Juventusi e ka pasur më parë një repart të tillë.

Vidal ka rigjetur formën më të mirë, Barella është vendimtar dhe thelbësor, ndërsa Brozovic i pazëvendësueshëm. Ama, unë shpresoj që të shpallet Milani kampion Italie, pasi jam tifoz i kuqezinjve që kur isha fëmijë. Me Mandzukic kanë më shumë shanse për të triumfuar“, thekson mesfushori i Zurich.