Në verën e kaluar, gjithçka kishte qenë e qartë për Messin. Ai kërkonte të largohej me çdo kusht, ndërsa kjo i pamundësohej nga bordi i klubit të Barcelonës. Në fund, ai qëndroi duke e respektuar kontratën që ka deri në qershorin e këtij viti, pa treguar se a do të qëndrojë edhe më tutje apo do të largohet.
Brenda kësaj periudhe do të jenë edhe zgjedhjet për president të klubit. Njëri nga kandidatët, Victor Font ka folur në lidhje me të ardhmen e Lionel Messit te katalunasit.
Në intervistën e dhënë ai duket optimist se argjentinasi nuk do të largohet nëse fitojnë zgjedhjet dhe e arsyeton këtë me projektin që kanë. “Messi e ka shpjeguar dhe teorikisht ai dëshiron të qëndrojë këtu dhe ta përfundojë karrierën te Barcelona. Para verës, kur ai ishte shumë i mërzitur, ai e ka thënë gjithmonë që kushti më i rëndësishëm për të është të ketë një projekt fitues dhe konkurrues. Ne kemi një projekt fitues dhe konkurrues me njerëz si Xavi. Lidhja mes Xavit dhe Messit ekziston dhe besoj se është një nga arsyet kryesore që garanton se Messi do të ndihet mirë me projektin tonë dhe do të ketë më shumë mundësi të qëndrojë te Barcelona” – u shpreh Font.
Viti 2021 ka nisur mbarë për Barcelonën dhe për Messin, i cili ka shënuar katër gola në dy paraqitjet e fundit të tij.