Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi se masat e izolimit me qëllim të luftimit të koronavirusit “kanë nisur të tregojnë rezultat”. Po ashtu Johnson nuk ka përjashtuar masa shtesë në Angli. Ai ka thënë se masat janë “duke u rishikuar vazhdimisht”. Sipas tij, qendrat e vaksinimit do të nisin së funksionuari 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, “sa më shpejt që është e mundur”.
Më shumë se 2.5 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit në këtë shtet, derisa 412,167 banorë të Britanisë është thënë të kenë marrë edhe dozën e dytë. Nën masat aktuale të izolimit, banorët e Anglisë duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm për arsye të domosdoshme. Aty përfshihet blerja e ushqimit, ushtrimet apo puna, nëse nuk mund të kryhet nga shtëpia. Masa të ngjashme janë duke u aplikuar edhe në Skoci, Uells, dhe Irlandën Veriore.
Johnson ka thënë mes tjerash se “është ende shumë herët” për të vendosur rreth lehtësimit të masave në mesin e muajit shkurt, duke thënë se “duhet të punojmë tejet shumë për të arritur aty”. Ai ka pranuar se është “tragjedi” që shumë fëmijëve u është pamundësuar shkuarja nëpër ambiente shkollore dhe se rihapja e tyre është “prioritet”.