Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kina mund të kishin vepruar më shpejt për frenimin e sëmundjes që sot ka gjunjëzuar botën.

Raporti i Panelit të Pavarur për Gatishmërinë dhe Reagimin ndaj Pandemisë, ka dalë në përfundimin se një vlerësim i “kronologjisë së fazës së hershme të shpërthimit, sugjeron qartë se ekzistonte potenciali të veprohej që me shenjat e para të saj.

Koronavirusi u shfaq në qytetin e Wuhanit në fundin e vitit 2019, e prej andej u përhap në mbarë globin duke marrë deri tani 2 milionë jetë njerëzish e duke infektuar mbi 93 milionë vetë. Në raport, paneli thekson se masa më të ashpra shëndetësore mund të ishin aplikuar me vendosmëri nga autoritetet lokale e ato kombëtare në Kinë në muajin janar. Po kështu, ai kritikon OBSH-në për faktin që tërhoqi këmbën zvarrë në fillimin e krizës, dhe komitetin e saj të krizës nuk e mblodhi përveçse në fundin e janarit 2020.

SHBA-ja, e ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Kinën se ka fshehur informacionet për shkallën e të infektuarve dhe ka bërë thirrje për një hetim “transparent” mbi origjinën e koronavirusit. Pekini pretendon se pavarësisht faktit që koronavirusi u shfaq për herë të parë në Vuhan, nuk do të thotë se ai domosdoshmërish e ka origjinën aty.