Kina raportoi numrin më të lartë të rasteve ditore nga COVID-19 në më shumë se 10 muaj, treguan të dhënat zyrtare të premten, për shkak të një shpërthimi të rëndë në verilindje që ka vendosur më shumë se 28 milionë njerëz nën bllokim.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, një total prej 144 rastesh të reja me COVID-19 u raportuan më 14 janar, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në një deklaratë – duke shënuar kështu rritjen më të lartë ditore që nga 202 raste të raportuara më 1 mars.
Komisioni tha se 135 nga rastet e reja ishin infeksione lokale 90 prej të cilave ishin në provincën Hebei ndërsa në provincën Heilongjiang janë raportuar 43 raste.
Ndërkohë në rajonin autonom Guangxi është regjistruar 1 rast dhe 1 tjetër u raportua në provincën Shaanxi. Kjo rritje vjen derisa ekipi i hetuesve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është vendosur në karantinë në qytetin Wuhan, ku sëmundja u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2019. Ekipi synon të hetojë origjinën e pandemisë që tani iu mori jetën gati 2 milionë njerëzve në të gjithë botën.