Shijaku ka qenë një nga zonat e prekura nga përmbytjet, ku si pasojë e reshjeve të shumta gjatë janarit, ka dalë nga shtrati lumi Erzen. Ne realizuam një intervistë me kryetarin e bashkisë së Shijakut, Elton Arbana për të mësuar më tepër në lidhje me situatën. Z. Arbana, aktualisht si është gjendja në Shijak? Situata është drejt përmirësimit. Do të doja që në fillim të bisedës tonë të ndaja me ju një lajm të mirë për të gjithë banorët e prekur nga përmbytjet. Bashkia e Shijakut ka nisur punën e llogaritjes së dëmeve të shkaktuara dhe shumë shpejt do të mundemi të dëmshpërblejmë të gjithë këto familje. Për këtë dua të falenderoj për mbështetjen e padiskutueshme dhe të vazhdueshme që po na japin Kryeministri Edi Rama dhe Qeveria shqiptare.

Ky qenka vërtet një lajm i mirë. A ka familje që janë evakuar nga përmbytjet? Kemi vetëm një familje të evakuar si pasojë e përmbytjeve, të cilën e kemi strehuar te Kavalishenca. Rreth 13 familje patën probleme në shtëpitë e tyre me daljen e lumit Erzen nga shtrati. Po punohet për të kthyer në normalitet situatën e krijuar. Ju jeni kryebashkiaku që në një kohë kaq të shkurtër po kaloni shumë sfida të mëdha. Si e keni përballuar të gjithë këtë? Ju falenderoj për pyetjen. Vërtet që dy tërmetet ishin një sfidë e madhe, më pas kufizimet e pandemisë dhe tani përmbytjet. Forca ime buron nga dëshira dhe pasioni që kam për t’i shërbyer të gjithëve. Shijaku është qyteti im i zemrës, dua më të mirën për të gjithë banorët e tij, dua ta shikoj një ditë Shijakun ashtu siç e meriton të jetë, me transformim europian. Prandaj po punoj fort, së pari duke dhënë shembullin tim. Në përballimin e këtyre sfidave të mëdha që na duhet të kalojmë, përveç vullnetit tim si kryebashkiak, kemi pasur dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama që po ndihmon Shijakun të ringrihet pas tërmetit dhe përmbytjeve. Suksesi im është suksesi i të gjithë atyre që jetojnë në Shijak për të pasur një qytet të bukur.

Do të dëmshpërblehen të gjithë banorët që kanë pasur dëme nga përmbytjet? Po, patjetër. Bashkia e Shijakut që sot ka ngritur grupin e punës për të llogaritur dëmet e shkaktuara si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen gjatë muajit janar. Ashtu siç kemi vepruar dhe me dëmshpërblimet për tërmetin e 26 nëntorit, ku asnjë familje e prekur nuk është ndjerë vetëm, ashtu do t’i japim mbështetjen tonë dhe tani. A ka një projekt konkret për sistemimin e këtij problemi dhe shmangien e rrezikut nga përmbytjet për familjet që jetojnë pranë lumit Erzen? Zyra e projekteve në bashki ka përfunduar projektin për ngritjen e argjinaturës së lumit Erzen dhe për rivitalizimin e zonës. Ne shpresojmë që të kemi mundësinë ta realizojmë sa më shpejt këtë projekt madhor dhe mendoj se kjo do të jetë një nga sfidat tona në vazhdim.

Një mesazh për të gjithë banorët e Shijakut? Dua t’i them të gjithë banorëve që nuk janë vetëm në problemet e tyre. Bashkia e Shijakut do të punojë gjithmonë për zgjidhjen e tyre. Kryeministri Rama dhe qeveria kanë qenë një mbështetje e madhe për ne, pasi të vetëm si institucion vendor nuk mund të arrinim të sillnim gjithë këto ndryshime për Shijakun. Pavarësisht situatës së përmbytjeve në Njësinë Administrative Gjepalaj ne kemi përfunduar shtëpitë individuale të 20 familjeve. Ndërkohë që Kopshti nr.1 Shijak ka përfunduar. Shumë shpejt fëmijët do të kenë kushte bashkëkohore për të kaluar një pjesë të ditës, sepse ata meritojnë më të mirën dhe ne po ia japim. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!