Për fat të mirë rezulton fals alarmi në lidhje me Thomas Strakoshën. Ditën e enjte qarkulluan raportime se portieri i Kombëtares Shqiptare do të duhej t’i nënshtrohej një operacioni në gju. Gardiani i Lazios këtë vit ka përjetuar një periudhë të pafat për shkak të Covid dhe të pasuar më vonë nga dëmtimet, kundër Fiorentinës dhe pastaj ndaj Parmës që e detyruan të qëndrojë jashtë fushe. Gjithsesi siç bëjnë të ditur lajmet e fundit nga Italia, Strakoshës do t’i duhet të qëndrojë pushim deri në fillimin e javës së ardhshme për shkak të dëmtimit në gju, por nuk do t’i duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të rikuperuar dëmtimin.

Ky është verdikti i klubit dhe stafit shëndetësor të Lazios, ku janë të bindur se mund ta zgjidhin problemin vetëm me pushim dhe pastaj me fizioterapi. Situata e portierit shqiptar gjithsesi mbetet në monitorim ditë pas dite, por për momentin ndërhyrja kirurgjikale duket një opsion absolutisht i panevojshëm. Përtej gjendjes fizike ndërkohë duhet menduar edhe për situatën kontraktuale të Strakoshës. Marrëveshja aktuale që e lidh me Lazion përfundon në qershorin e vitit 2022 por deri më tani nuk ka nisur asnjë negociate për rinovimin.

Në këtë sesion të shkurtër të merkatos kanë qarkulluar edhe zëra për një shitje të mundshme të tijën, por Lazio dhe Drejtori Sportiv Igli Tare nuk kanë aspak ndër mend ta shesin, aq më tepër tani kur merkatoja është në drejt mbylljes. Sigurisht ky nuk ka qenë një sezon i mirë për Strakoshën, që ka vuajtur prezencën e Reinas, i cili ka përfituar nga momenti për t’i rrëmbyer fanellën e titullarit. E ardhmja e Strakoshës mbetet ende e paqartë, por çdo vendim për të është shtyrë për në fund të sezonit.