Frank Lampard ka thënë se ndihet i zhgënjyer që i është mohuar mundësia për ta çuar Chelsean përpara. Legjenda e të kaltërve u shkarkua nga posti i trajnerit të Chelseat të hënën, 18 muaj pasi u emërua pas vendimit të klubit për t’i ndarë rrugët me Maurizio Sarrin.

Pavarësisht statutit të legjendës së klubit dhe golashënuesit më të mirë në historinë e klubit, Lampard nuk ishte imun ndaj stilit emëro-shkarko të pronarit Roman Abramovich. Chelsea ishte lider i Premierligës në fillim të sezonit, por një ecuri e rezultateve të dobëta bëri që të bjerë në pozitën e nëntë dhe kjo e pati për pasojë shkarkimin e Lampardit.

Abramovich e lëshoi një komunikatë të rrallë për media pas shkarkimit të Lampardit, duke thënë se Lampard mbetet ikonë e rëndësishme e klubit, pavarësisht shkarkimit. “Ishte vendim i vështirë për klubit, sepse unë kam marrëdhënie të shkëlqyera personale me Frankun dhe kam respekt të madh për të”, ka thënë Abramovich.

Ndërsa, Lampard e zgjodhi Instagram të hënën mbrëma për ta thyer heshtjen. “Ishte privilegj i madh dhe nder ta drejtoja Chelsean, një klub që ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime për kohë shumë të gjatë”, shkroi Lampard. “Së pari, dëshiron t’i falënderoj tifozët për përkrahjen e jashtëzakonshme gjatë këtyre 18 muajve. Shpresoj që ata e dinë çfarëdo të thotë kjo për mua. Kur e mora punën këtu i kuptova sfidat e së ardhmes në një kohë të vështirë për klubin.” Ai shtoi: “Jam i zhgënjyer që nuk m’u dha kohë këtë sezon për ta çuar klubin përpara dhe për ta çuar në nivelin tjetër”.