Testet mjekësore kanë zbuluar se sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, nuk vuan nga asnjë lëndim, por trajneri Antonio Conte prapëseprapë mund të vendosë ta pushojë atë kundër Sampdorias të mërkurën. Sulmuesi belg iu nënshtrua testeve mjekësore pas një problemi që e pati në ndeshjen e së dielës kundër Crotones. Rezultati i testeve të tij tregon se 27-vjeçari nuk ka pësuar ndonjë dëmtim serioz. Gjatë ditës, Interi do të vendosë a ta përfshijë apo jo Lukakun në skuadrën që do të udhëtojë drejt Genoas për t’u përballur me Sampdorian.
Mundësitë janë që ai të mbetet në Milano dhe ta rimarrë veten plotësisht për ndeshjen e së dielës kundër Romës. Lukaku u detyrua ta braktisë fushën në San Siro rreth një çerek lojë para fundit, në triumfin e Interit 6:2 kundër Crotones, në të cilin e shënoi një gol.