Sipas të gjitha gjasave Lionel Messi do të largohet nga Barcelona në verë, sipas kandidatit për president të klubit katalonas Agusti Benedito, i cili e pranon se nuk është aspak optimist për të ardhmen e kapitenit. Messi është pjesë e Barcelonës që prej fillimit të karrierës së vet të bujshme dhe i ka ndihmuar klubit t’i fitojë 10 tituj në La Liga dhe katër trofe në Ligën e Kampionëve me 644 golat e tij në 750 ndeshje.

Por gjatë verës së kaluar, ai e kërkoi largimin nga Barcelona përmes një shkrese zyrtare dërguar drejtuesve të klubit dhe nuk e ka vazhduar marrëveshjen e cila i mbaron në fund të këtij sezoni. Barça e bllokoi largimin e tij me ndihmën e zyrtarëve të La Ligës dhe Messi konfirmoi se do të qëndrojë në klub deri në përfundim të sezonit 2020/21.

Megjithatë, thashethemet për largimin e tij përfundimtar nga Camp Nou janë rritur që prej atëherë, me Interin, Paris Saint-Germainin dhe Manchester City që janë të interesuar për të. Messi është i lirë të bisedojë me klubet e tjera nga ky muaj, për një transferim të mundshëm.

Benedito shpreson që Messi të qëndrojë në Barcelonë, nëse ai zgjidhet president në zgjedhjet e 24 janarit, por nuk është optimist se do të ndodhë. “Mbajtja e Messit do të ishte lajmi më i mirë për klubin por unë nuk jam shumë optimist”, tha Benedito. “Duke e parë situatën e klubit, mendoj se është më rëndësi që ai të qëndrojë në Barçë.”