Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Dejan Lovren, thotë se Jurgen Klopp i ka thënë se ai po i mungon ekipit, por këmbëngul se nuk pendohet që u largua nga Anfield. Përfaqësuesi i Kroacisë u largua nga Liverpooli në gusht, pas plot gjashtë vjetëve dhe 185 paraqitjeve në të gjitha garat, si dhe si fitues i Premierligës dhe Ligës së Kampionëve. Lovren, 31 vjeç, është bërë lojtar i rëndësishëm në qendrën e mbrojtjes për Zenitin këtë sezon, në një kohë kur Liverpooli po vuan nga probleme të mëdha mungesën e qendërmbrojtës si pasojë e lëndimeve.

Virgil van Dijk është ende duke u shëruar nga lëndimi i ligamentit të gjurit që e pësoi në tetor, derisa Joe Gomez mungon shkaku i një lëndimi të rëndë në gju. Mungesa e qendërmbrojtësve e ka shtyrë trajnerin Klopp ta vendosë dyshen e mesfushës, Fabinho dhe Jordan Henderson, në qendër të mbrojtjes kundër Manchester Unitedit së fundmi. Lovren thotë se ai po i mungon Liverpoolit, por ndihet i lumtur që tani luan për klubin rus.“Jo nuk  pendohem. Vendimi im në verë ishte i prerë, të largohem nga Liverpooli dhe të mos e kthej kokën mbrapa më”, tha Lovren.

“Sezonin e kaluar tërbohesha kur nuk luaja, por tani çdo gjë është ndryshe. Mendoj se unë i mungoj Liverpoolit më shumë sesa Liverpooli më mungon mua. Jurgen Klopp e di këtë, sepse ne flasim. Ai më shkroi së fundmi: ‘Na mungon’”, shtoi ai.