Nga Artur Ajazi/ Ikja nga Partia Socialiste (për inat të Nanos) dhe formimi i një grupimi interesash që më vonë u quajt parti, e kanë karakterizuar përgjatë gjithë këtyre viteve LSI, si një parti tranzitore. Dihej fati i saj, pavarsisht se Ilir Meta po përpiqet sot me çdo mjet ta mbajë në “këmbë”, të ndalë me çdo mënyrë largimin e militantëve dhe ish-deputetëve të saj drejt Partisë Socialiste, dhe të mbajë me premtime postesh dhe aferash të tjera, ata që akoma nuk e kanë ndarë mëndjen. Kjo ndodhi edhe para disa ditësh kur një ish-deputete de facto e bëri divorcin me LSI, por duket se Meta e bindi se, “ajo do të ishte ministre nesër kur të marrim pushtetin”. Fatin e LSI-së e ka përcaktuar askush më mirë se Sali Berisha (apo dhe Lulzim Basha) kur e kanë quajtur “parti bandë” dhe kryetarin e saj me lloj-lloj epitetesh nga më banalet.
Fatin e LSI, e kanë përcaktuar edhe dy fushatat e para të saj elektorale dhe ato që vazhduan, kur delegatët e saj në rrethe nuk lanë “kuç e maç” pa paguar vetëm të merrnin ndonjë fitore apo ndonjë mandat më tepër. Dhe pavarsisht kësaj, fizionomia dhe filozofia mbi të cilën u ngrit dhe ka funksionuar deri sot ajo forcë politike, nuk kanë qenë programet, idetë, iniciativat, alternativat, dhe përfaqësimet konkuruese në garë, por “fitorja me çdo mjet duke mos përjashtuar blerjen e votës”. Të gjithë e mbajmë mënd, se si LSI futej në Parlament me 2 deputetë, dhe brënda muajit formonte “grupin e saj parlamentare me 12 apo 14 deputetë”. Dhe kjo gjë bëhej pasi ishin dakortësuar pazaret, dhe jo sepse LSI, ishte “partia e vlerave dhe të ardhmes”. Braktisja nga Naço, Koka, Braha, dhe shumica e atyre që kanë qenë deputetë apo të zgjedhur në rrethe, si dhe pamundësia e gjetjes së emrave dhe figurave të reja me integritet për ta përfaqësuar atë në zgjedhjet e 25 Prillit, duket se kanë humbur shpresat e Ilir Metës, se LSI do të rimëkëmbet një ditë. Edhe gjoja bashkimi me PD dhe futja në aleancat e saj false, nuk ka kënaqur Ilirin dhe Monikën, pasi brënda asaj që Lulzim Basha e quan “e djathta”, ajo parti duket si “dele e zezë”.
Askush nga aleatët e Lulzimit, as Nardi, Agroni, Dashi dhe as Fatmiri me Vangjelisi, nuk e duan praninë e LSI-së në aleancën e tyre. Nuk e duan as në përfaqësimin e listave të përbashkëta. Fatin e LSI-së, e ka vetpërcaktuar timonieri saj, me lojën e shpifur që ka bërë mes dy partive të mëdha PD dhe PS, duke luajtur njëherë me Berishën dhe pastaj me Ramën kur kishin pushtetin. Por si çdo fillim që ka një mbarim, edhe seriali i afrim-largimit me pushtetin duket se ka përfunduar për LSI-në. Ajo parti po “tretet” çdo ditë, po braktiset çdo ditë nga të gjithë ata që dikur në Jalë mes “party foam”, Iliri dhe Monika i quanin “e ardhmja e LSI”.Në historinë politike të viteve tranzicionit në Shqipëri, ajo e LSI-së do të kujtohet ndoshta si në ngjarje e rastësishme, apo si eksperiment i një politikani që kurrë nuk mundi të ngrihet as në lartësinë e Nanos, pasi me Ramën e ka të pamundur, edhe për shkak të disnivelit në formimin e përgjithshëm qytetar.