Vijojnë ende pa një marrëveshje negociatat e Lulzim Bashës me disa prej aleatëve të Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe Partinë Republikane. Ecurinë e procesit që duket se nuk është aspak i lehtë e konfirmoi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, ku treshja e negociatorëve në selinë blu duken larg përmbushjes së pritshmërive të republikanëve, të cilët kërkojnë në lista të sigurta tre mandate deputeti, dy në qarkun e Tiranës dhe një në Fier.

Vështirësinë e këtyre negociatave e pranoi edhe Fatmir Mediu, i cili i kërkoi kryedemokratit që të vlerësojë peshën elektorale të forcës politike që ai drejton, bazuar në historikun e votave të republikanëve, të cilët, sipas Mediut, kanë prodhuar në zgjedhje 4 mandate deputetësh. Përballë presionit në rritje të aleatit 30-vjeçar, i cili ka paralajmëruar edhe daljen më vetë në zgjedhjet e 25 prillit, Basha tha se së shpejti pritet edhe vendimi.

Fatmir Mediu kërkon që grupi i negociatorëve në selinë blu të vlerësojë çdo kandidat potencial të republikanëve, i cili votat i përkthen në fitore të opozitës në zgjedhjet e 25 prillit. Por Lulzim Basha duket se nuk ka negociata të vështira vetëm me republikanët. Ende pa marrëveshje janë edhe aleatë të tjerë, si PDIU, LSI e PBDNJ.
Parimisht marrëveshjen demokratët e kanë mbyllur vetëm me PAA-në e Agron Dukës, LZHK-në e Dashamir Shehit dhe PDK-në e Nard Ndokës, të cilëve iu është premtuar nga një mandat i sigurtë deputeti.

Problemi i Bashës me Kryemadhin, Mediun dhe Idrizin, është se ata kërkojnë më shumë se çfarë iu ofron ai. Dhe për këtë arsye është duke u zhvilluar një luftë nervash, të cilën nuk dihet kush do e fitojë.

Marrë nga Tema